Ekspertët shëndetësorë kanë rekomanduar distancimin shoqëror si një ndër masat më të rëndësishme në paandalimin e përhapjes së koronavirusit
Vdekja e dytë në Mal të Zi
Në Mal të Zi është shënuar viktima e dytë nga koronavirusi. Personi që ka vdekur ishte i moshës 79 vjeçare.
Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi, 85 qytetarë janë të infektuar me koronavirus.
Shumica e tyre janë nga Tuzi dhe Podgorica.
Video nga Tuzi (25 mars 2020)
Disa të rinjë nga Prishtina flasin se si po e kalojnë kohën në izolim
Distancimin social përmes mbylljes së njerëzve nëpër shtëpi, duke shmangur kontakte me të tjerët, si masë parandaluese për përhapjen dhe shpërndarjen e koronavirusit, të rinjtë thonë se po e përjetojnë në mënyra të ndryshme.
Disa nga ta i ndanë për Radion Evropa e Lirë përvojat e qëndrimit të tyre në shtëpi. Ata thanë se pjesën e lirë të kohës të cilën e kanë kaluar me shoqëri, këto ditë po e kalojnë në shtëpi, duke shikuar TV apo duke kaluar më shumë kohë nëpër rrjete sociale. Po ashtu, me rifillimin e mësimit, disa thonë se po e kalojnë një pjesë të kohës edhe duke i ndjekur ligjëratat apo mësimet nga distanca apo online.
Lexojeni artikullin e plotë KËTU
Krasniqi: Klinika Infektive kujdeset për të gjithë pacientët pavarësisht përkatësisë etnike
Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk është i shtrirë asnjë pacient i komunitetit serb i infektuar me koronavirus, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë infektologu, Valbon Krasniqi.
Më herët u njoftua se dy persona në Mitrovicën e Veriut kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus, ka konfirmuar Instituti “Torlak” në Beograd.
Epidemiologu, Aleksandar Antonieviq ka konfirmuar për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se bëhet fjalë për një qytetar nga Mitrovica e Veriut dhe një nga Leposaviqi, të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.
Më 23 mars zyrtarët shëndetësorë nga mjediset e banuara me serbë në Kosovë kanë konfirmuar se pacientët serbë nga Kosova do të dërgohen në klinikat infektive në qytetet e Serbisë, në Kragujevc, Nish dhe Beograd.
Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a ekziton bashkëpunimi me sistemin shendetësor të Kosovës, drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Milan Ivanoviq ka thënë se nuk ekziston komunikim i drejtpërdrejtë dhe as kontaktet, por që të gjitha të dhënat publikohen përmes Departamentit të shendetit publik.
Ndërkohë, infektologu Valbon Krasniqi, tha se “në Klinikën Infektive çdo pacient që vjen dhe kërkon ndihmë mjekësore do t’i ofrohet ndihma, pa marrë parasysh çfarë komuniteti është dhe pa marrë parasysh prej cilit vend të Kosovës vjen”.
“Ne në Klinikën Infektive nuk bëjmë asnjë dallim në këtë drejtim. Por për momentin ne në Klinikën Infektive nuk kemi ndonjë qytetarë të komunitetit serb që është duke u trajtuar”, theksoi Krasniqi.
Që nga raportimi i rasteve me koronavirus, tre persona nga komuniteti serb janë raportuar të infektuar, por ata nuk janë përfshi në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, pasi që janë dërguar në Serbi.