Institucionet e Kosovës thonë se situata është nën kontroll
Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia u bëri thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë dhe të ndjekin rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë, Vitia tha se qytetarët në këtë mënyrë ndihmojnë edhe personelin shëndetësor në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha se situata po mbahet në kontroll nga ana institucioneve shëndetësore të Kosovës.
Sipas tij, që nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar 1037 raste.
Prej tyre 91 raste kanë dalë pozitiv në Covid-19. Ndërkaq, 1 pacient është shëruar.
Kryetari i qytetit të Nju Jorkut: Po mbarojnë furnizimet mjekësore
Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio, thotë se deri më 5 prill, qytetit të tij do t'i mbarojnë furnizimet e rëndësishme mjekësore.
"Këtu në qytetin e Nju Jorkut, ndjehet si një mjedis i kohës së luftës", tha ai në CNN.
Nju Jorku është epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Në të gjithë shtetin, të paktën 52,000 njerëz janë testuar pozitiv që nga e shtuna - më shumë se një e treta e rasteve në të gjithë vendin.
Të paktën 728 njerëz kanë vdekur, 672 prej tyre brenda qytetit të Nju Jorkut.
"Kjo do të jetë një krizë e gjatë", tha de Blasio.
Qeveria në detyrë kërkon ndihmën e bashkësive fetare për t'i bindur qytetarët të qëndrojnë në shtëpi
Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh Koordinator i Grupit Ndër-institucional, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, që të shtrijnë ndikimin e tyre për të bindur besimtarët dhe të gjithë qytetarët në përgjithësi, që daljet nga shtëpitë e tyre t’i bëjnë vetëm atëherë kur është e domosdoshme.
Sveçla ka vizituar Ipeshkvinë e Kosovës ku nga Ipeshkvi, Dodë Gjergji ka marrë zotimin se do të shtojë angazhimin e tij, së pari tek komuniteti katolik, por dhe tek të gjithë qytetarët që të ndjekin me kujdes udhëzimet e institucioneve për të qëndruar në shtëpi.
Ndërkaq pas takimit me kreut e Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, Sveçla tha përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ”në këtë kohë të pandemisë globale, është i domosdoshëm respektimi i vendimeve të Qeverisë nga ana e qytetarëve. Në kuadër të këtyre përpjekjeve kërkova që të intensifikohen thirrjet edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës”.
"Bota u paralajmërua për pandeminë globale"
Ish drejtorja e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Gro Harlem Brundtland ka folur për atë që ajo thotë se është mungesë e "gatishmërisë së botës" për një pandemi globale.
Zonja Brundtland, e cila ishte gruaja e parë në postin e kryeministres së Norvegjisë, është bashkë-kryetare e Bordit të Monitorimit të OBSH-së dhe Bankës Botërore, e cila publikoi një raport në shtator të vitit 2019 duke paralajmëruar një "pandemi shumë vdekjeprurëse".
"Ajo që kemi tash është një katastrofë e paralajmëruar", tha ajo për Radio 4 të BBC-së.
"Ne pamë boshllëqe të mëdha në gatishmërinë e botës dhe gjetëm prova bindëse të një kërcënimi shumë të vërtetë", shtoi Bruntland.
"Nuk është vonë, por ne duhet të ballafaqohemi me faktin se tashmë jemi në këtë situatë, që do të thotë se duhet të ketë mobilizim në mbledhjen e fondeve dhe posedimin e pajisjeve që janë të nevojshme”, tha ajo.