OJQ-të monitorojnë punën e institucioneve nga distanca
Puna nga shtëpia, në kohën e pandemisë së COVID-19, është bërë tashmë praktikë e funksionimit të shumë kompanive apo edhe institucioneve e organizatave joqeveritare.
Punën e tyre nga shtëpia apo distanca aktualisht po e zhvillojnë edhe organizatat joqeveritare që veprojnë në Kosovë. Përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se pas masave që ka marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri që përcillet me sëmundjen, COVID-19, punën janë duke e zhvilluar në distancë. Një formë e tillë e punës, sipas tyre, është e domosdoshme për të ruajtur shëndetin e punëtorëve dhe mospërhapjen e virusit.
Por, jo të gjitha aktivitetet mund të realizohen në kushtet e punës nga shtëpia. Këtë praktikë të re, në Kosovë po e zhvillojnë vetëm ata sektorë të cilët aktivitetin e tyre mund të zhvillojnë në bazë të teknologjisë.
Për më shumë lexoni KËTU
Edhe tri raste me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka konifrmuar edhe tri raste të reja me koronavirusin e ri. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 94.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, dy prej të cilave me vendbanim në Prishtinë dhe një me vendbanim në fshatin Kijevë-Malishevë”, thuhet në njoftim.
Siria konfirmon vdekjen e parë nga koronavirusi
Ministria e Shëndetësisë e Sirisë ka konfirmua zyrtarisht vdekjen e parë nga koronavirusi i ri.
Viktima ishte një grua që ishte dërguar me urgjencë për trajtim në spital dhe më pas analizat treguan se ishte e infektuar me koronavirusin e ri.
Siria deri më tani ka konfirmuar vetëm pesë raste të të infektuarve, por mjekët dhe dëshmitarët thonë se ka më shumë.
Zyrtarët mohojnë se po fshehin shifrat, por kanë vendosur një masë të izolimit për të frenuar pandeminë.
Ministri i Financave i landit gjerman Hesse është gjetur i vdekur
Ministri i Financave i landit gjerman të Hesses është gjetur i vdekur, thotë policia.
Trupi i 54-vjeçarit, Thomas Schäfer, u gjet në një linjë hekurudhore afër Frankfurtit të shtunën në mëngjes.
Bazuar në rrethanat, hetuesit supozojnë se politikani i Partisë Demokristiane (CDU) kishte bërë vetëvrasje, tha policia në një deklaratë.
Në fillim të kësaj jave, Schäfer kishte njoftuar ndihmën financiare të shtetit për ata që preken nga pandemia e koronavirusit, raportojnë mediat gjermane.
Në një video mesazh, kryeministri i landit Hesse, Volker Bouffier, thuhet se aludoi në sfidat që ministri Schäfer po përballet në trajtimin e efekteve ekonomike të krizës së koronavirusit.
Politikanët e tjerë gjermanë, përfshirë udhëheqësen e CDU-së Annegret Kramp-Karrenbauer. kanë shprehur tronditjen e tyre për vdekjen e Schäfer.