Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
21:52 29.3.2020

Miq, jemi në përfundim të kësaj dite. Ju sjellim një përmbledhje të informacioneve lidhur me koronavirusin: 

  •  Në Kosovë janë raportuar edhe tri raste të reja me koronavirus, duke e ngritur numrin e përgjithshëm në 94. 
  • Më shumë se 30,000 njerëz kanë vdekur në të gjithë botën nga virusi. 
  • Në Mbretërinë e Bashkuar, 209 persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit, duke rritur numrin e vdekjeve në 1,228. Kryeministri, Boris Johnson, paralajmëroi se gjërat do të përkeqësohen para se të përmirësohen.
  • Në SHBA, zyrtari i lartë shëndetësor, Anthony Fauci, ka paralajmëruar se situata atje mund të përkeqësohet dhe se 100,000 deri në 200,000 amerikanë mund të vdesin nga Covid-19.
  • Italia ka shënuar 765 vdekje nga koronavirusi në 24 orët e fundit. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë vend ka arritur në 10,779. 
  • Spanja ka regjistruar 838 vdekje të tjera në 24 orët e kaluara - rritja më e lartë ditore e vdekjeve deri më tani. 
  • Ministri i Financave i landit gjerman të Hesses, Thomas Schäfer, është gjetur i vdekur, thotë policia. Bazuar në rrethanat, hetuesit supozojnë se politikani i Partisë Demokristiane (CDU) kishte bërë vetëvrasje, tha policia në një deklaratë. Në një video mesazh, kryeministri i landit Hesse, Volker Bouffier, thuhet se aludoi në sfidat që ministri Schäfer po përballej në trajtimin e efekteve ekonomike të krizës së koronavirusit.
  • Australia gjithashtu ka forcuar rregullat e saj, duke përfshirë kufizimin e tubimeve publike për vetëm dy persona, dhe mbylljen e të gjitha këndeve të lojërave, palestrave në natyrë dhe parqeve. 

 

21:17 29.3.2020

Pakistani me 121 raste të reja 

Autoritetet pakistaneze thanë se 121 raste të reja të koronavirusit janë regjistruar gjatë 24 orëve të kaluara, duke ngritur numrin e përgjithshëm në 1.526 raste.

Nga koronavirusi i ri në Pakistan kanë vdekur 13 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Zafar Mirza, tha më 29 mars se 71 përqind e rasteve në Pakistan u importuan, kryesisht pelegrinë që u kthyen nga Irani fqinj, i cili po ballafaqohet me përhapjen më të madhe të sëmundjes në Lindjen e Mesme.

Ligjvënësit dhe ekspertët kanë shprehur frikë nga një rritje e rasteve në ditët në vijim dhe i kërkuan qeverisë të bëjë më shumë testime.

 

20:50 29.3.2020

Rritet numri i vdekjeve në Francë 

Franca ka raportuar për 292 vdekje të reja nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2,606. 

Vendi ka numrin e pestë të vdekjeve në botë pas Iranit, Kinës, Spanjës dhe Italisë. 

Qeveria ka ndërmarrë masa të ashpra të izolimit, duke mbyllur shkolla, parqe dhe veprimtari tjera. 

 

20:23 29.3.2020

Rusia shtrëngon masat kundër koronavirusit 

Autoritetet në Moskë kanë forcuar kufizimet në lëvizjen e njerëzve në përpjekje për të paandaluar përhapjen e koronavirusit, që do të thotë banorët mund të lënë shtëpitë e tyre vetëm për qëllime urgjente dhe të kufizuara.

Nga e hëna, njerëzit në kryeqytetin rus do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre për të kërkuar ndihmë urgjente mjekësore, të shkojnë në punë nëse kërkohet, të blejnë në dyqane për nevojat themelore, siç janë ushqimi dhe ilaçet dhe të hedhin mbeturinat shtëpiake.

Në blogun e tij, kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, gjithashtu tha që njerëzit mund të ecin me kafshët e tyre "jo më shumë se 100 metra larg vendbanimit të tyre".

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG