QKUK: Njëri nga të prekurit me COVID-19, në kujdes intensiv
Qendra Klinike Univeristare e Kosovës (QKUK) tha se pesë pacientë të prekur me koronavirus po trajtohen me oksigjenoterapi, ndërsa njëri prej tyre është në kujdes intensiv në Klinikën Infektive.
Sipas njoftimit të QKUK-së, 32 pacientë të tjerë që aktualisht janë të shtrirë në këtë spital, janë në gjendje stabile.
Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është shfaqur për herë të parë në Kosovë më 13 mars.
Numri aktual i të infektuarve është 94, ndërsa një pacient ka humbur jetën.
“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, përveç infermieres së infektuar me COVID-19, e cila është në gjendje të përmirësuar dhe e vetizoluar në shtëpi, të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet po ashtu në njoftimin e QKUK-së.
Për shkak të koronavirusit, autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Vuçiq paralajmëron orë policore gjatë gjithë ditës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nëse sjellja e njerëzve nuk ndryshon, ai është i gatshëm të vendosë ndalesë 24-orëshe të lëvizjes, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
“Nuk keni të drejtë t’i rrezikoni njerëzit e tjerë. Duhet të silleni me përgjegjësi. Nëse vendosim orë policore për 24 orë, ajo do të thotë se nuk do të ketë jetë në rrugë, nuk do të mund të shkoni në dyqane”, tha Vuçiq për televizionin serb Prva, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Deri më tani, 13 njerëz në Serbi kanë vdekur nga koronavirusi dhe 741 janë infektuar.
Serbia ka vendosur gjendje të jashtëzakonshme dhe orë policore gjatë natës.
Koreja e Veriut kryen teste të reja raketore
Koreja e Veriut tha se ka kryer me sukses një testim të qitësve të raketave, vetëm pak kohë pasi Koreja e Jugut e kritikoi atë për “sjellje të keqe” në kohën e pandemisë së koronavirusit.
Seuli tha se Phenjani ka hedhur të dielën dy raketa balistike, me rreze të shkurtër veprimi, nga qyteti lindor Vonsan.
Ato kanë fluturuar për 410 km, me një lartësi maksimale rreth 50 km, përpara se të binin në det, tha ushtria e Koresë së Jugut.
Të hënën, media shtetërore në Korenë e Veriut tha se ky vend ka testuar me sukses qitës “super të mëdhenj” të raketave.
Sipas agjencisë Reuters, Phenjani ka kryer katër raunde të provave raketore këtë muaj.
"Në një situatë ku e gjithë bota po përjeton vështirësi për shkak të koronavirusit, ky lloj veprimi ushtarak nga Koreja e Veriut është shumë pa vend dhe ne bëjmë thirrje për ndalim të menjëhershëm të sjelljes së tillë", tha ushtria jugkoreane.
Koreja e Veriut, deri më tash, nuk ka raportuar asnjë rast të të infektuarve me koronavirus.
Rusia mbyll kufijtë për të luftuar koronavirusin
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, Rusia, nga sot, ka mbyllur kufijtë, ndërsa kryeqyteti Moska i ka urdhëruar 12 milionë banorët e tij të qëndrojnë në shtëpi.
Ata do të lejohen të dalin vetëm për të blerë ushqime ose barna në dyqanet më të afërta, për punë, për trajtim mjekësor ose nevoja të tjera urgjente.
"Gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, do të vazhdojmë të forcojmë kontrollin, ashtu siç është e nevojshme në këtë situatë", tha kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin.
Sipas autoriteteve ruse, mbyllja e kufijve nuk do të aplikohet për diplomatët rusë apo drejtuesit e kamionëve të mallrave.
Numri i të infektuarve me koronavirus në Rusi ka kaluar 1,500, ndërsa tetë pacientë kanë humbur jetën.
Qyteti më i prekur është Moska, me mbi 1,000 të infektuar.
Zyrtarët rusë të shëndetësisë kanë paralajmëruar se një rritje e mprehtë e numrit të rasteve në këtë vend pritet në ditët në vijim, për shkak të testimeve të zgjeruara në Moskë.
Autoritetet në Moskë gjithashtu kanë mbyllur qendrat tregtare, restorantet dhe parqet e mëdha nga 28 marsi, për së paku një javë.