Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:50 30.3.2020

Pse larja e duarve mund të shpëtojë jetë?

Një nga gjërat më të mira dhe më të thjeshta për t'u mbrojtur nga koronavirusi është larja e duarve. Mjekët këshillojnë që ato të lahen me sapun dhe ujë të ngrohtë, në mënyrë që të largohet infeksioni.

Pse larja e duarve mund të shpëtojë jetë?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:34 0:00

 

08:34 30.3.2020

SHBA-ja i zgjat masat kundër koronavirusit përtej Pashkëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se udhëzimet federale kundër koronavirusit, të tillat si distancimi fizik, do të vazhdojnë në gjithë SHBA-në së paku deri më 30 prill.

“Numri më i lartë i vdekjeve ka të ngjarë të ndodhë brenda dy javësh”, tha ai.

Më herët, Trump ka thënë se masat kundër koronavirusit mund të lehtësohen për Festën e Pashkëve, që i bie në mes të prillit.

Shtetet e Bashkuara kanë tani mbi 140,000 raste të të infektuarve me koronavirus.

Deri të dielën mbrëma, atje kanë qenë të regjistruara 2,493 viktima.

Këshilltari mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, ka paralajmëruar më herët se koronavirusi mund të prekë miliona amerikanë.

SHBA-ja, javën e kaluar, ka tejkaluar edhe Kinën, edhe Italinë me numrin e rasteve të raportuara.

"Do të doja që t’i ktheheshim jetës sonë të vjetër ... Ne po punojmë shumë, kjo është gjithçka që di. Shoh gjëra, shoh numra… nuk kanë rëndësi për mua. Ajo që ka rëndësi për mua është që ne të fitojmë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Trump.

Javën e kaluar, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një paketë financiare, në vlerë prej dy trilionë dollarësh, për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

 

 

08:04 30.3.2020

Kina raporton rënie të numrit të të infektuarve me koronavirus

Kina raportoi për rënie të numrit të rasteve të reja me koronavirus – për të katërtën ditë me radhë.

Autoritetet shëndetësore atje thanë se të hënën janë shënuar 31 raste të reja, prej të cilave 30 janë importuar.

Sipas Komisionit Kombëtar Shëndetësor, shifra paraqet rënie për 45 për qind, krahasuar me një ditë më parë.

Autoritetet po ashtu thanë se kanë regjistruar katër viktima të reja nga koronavirusi, të cilat e çojnë në 3,304 numrin total të tyre.

Kina është vendi i origjinës së koronavirusit, ku rastet e para janë shfaqur në fund të vitit të kaluar.

Që atëherë, ato janë përhapur në mbi 150 vende të botës dhe aktualisht numrin më të madh të të infektuarve e kanë Shtetet e Bashkuara, me mbi 143,000 raste.

Sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ka marrë mbi 34,000 jetë njerëzish në botë.

Numrin më të madh të viktimave e bartin Italia dhe Spanja.

23:24 29.3.2020

Kurti: Koronavirusi po e teston shtetin, shoqërinë dhe gjithë njerëzimin​

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi i është drejtuar qytetarëve duke u kërkuar respektimin e masave për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Ai tha se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që ta ndalë përhapjen e virusit, sepse, sipas tij, në këtë mënyrë do të ndihmohen punëtorët shëndetësor që të shpëtojnë jetë.

"Këto ditë do të hyjmë në muajin kur sipas ecurisë që ka pasur ky virus në vendet tjera do të mund të kemi një shtim të të prekurve nga virusi, pas këtij muaji nëse tregojmë diciplinën dhe kujdesin e duhur do të fillojmë ngadal të dalim nga kjo situatë me sa më pak dëme”, tha Kurti, duke shtuar se kjo është situata më serioze që nga lufta e fundit para dy dekadave.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG