Çmimi i naftës bie në nivelin më të ulët qysh në vitin 2002
Çmimi i naftës ka rënë në nivele të papara qysh në vitin 2002, pasi kërkesa për naftë të papërpunuar është zvogëluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, ka rënë në 23.03 dollarë për fuçi të hënën, gjë që paraqet nivelin më të ulët qysh në nëntor të vitit 2002.
Çmimi ka rënë më shumë se për gjysmë gjatë muajit të kaluar, pasi kompanitë e kanë zvogëluar ose ndërprerë prodhimin e naftës.
Kësaj i ka kontribuuar edhe një mosmarrëveshje midis Arabisë Saudite dhe Rusisë, e cila ka shpërthyer pasi Riadi ka dështuar ta bindë Moskën për zvogëlim të prodhimit.
Arabia Saudite, udhëheqëse de facto e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, është pajtuar me vendet e tjera të këtij grupi që të ulin prodhimin.
Kërkesat për naftë kanë rënë pasi shumë vende të botës janë izoluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke ndërprerë një pjesë të madhe të trafikut ajror dhe rrugor.
Arrin në 11 numri i viktimave në Shqipëri
Në Shqipëri ka vdekur një tjetër pacient, duke e çuar në 11 numrin e viktimave nga koronavirusi në këtë vend.
Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, gjatë komunikimit të përditshëm, ka informuar publikun mbi situatën e krijuar:
“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 79-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) COVID-19; 79-vjeçari me inicialet B.H. ishte prej 18 ditësh i shtruar në spitalin infektiv. I moshuari ishte përmirësuar në ditët e fundit, por ndërroi jetë nga një infarkt kardiak”.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë testuar 90 persona, prej të cilëve 11 kanë dalë me koronavirus.
Ata e çojnë në 223 numrin total të të infektuarve në Shqipëri.
Gjermania “huazon” modelin jugkorean në luftim të koronavirusit
Në garë kundër koronavirusit, Gjermania duket se varet nga rritja e numrit të testimeve dhe ashpërsimit të masave të karantinës për të thyer zinxhirin e infektimit, një strategji e huazuar nga Koreja Jugore, suksesin e së cilës kundër pandemisë, është duke e pasur zili e gjithë bota.
Aktualisht, Gjermania është duke kryer testime për koronavirus më shumë se secili vend tjetër evropian, me një shkallë prej 300,000 deri në 500,000 brenda një jave, kanë thënë zyrtarët.
Mirëpo, Qeveria e kancelares gjermane, Angela Merkel, synon të arrijë shifrën e të paktën 200,000 testimeve në ditë, kanë raportuar mediat gjermane, duke u bazuar në një dokument të Ministrisë së Brendshme.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Mali i Zi i kërkon ndihmë NATO-s për luftimin e koronavirusit
Qeveria e Malit të Zi i ka dërguar lutje për ndihmë mjekësore NATO-s, përkatësisht Qendrës për Koordinimin e Përgjigjeve ndaj Fatkeqësive.
Mali i Zi, sikurse edhe vendet e tjera të botës, po përballet me pandeminë e koronavirusit.
Aktualisht në këtë vend janë të regjistruara 91 raste të të infektuarve, ndërsa dy pacientë kanë vdekur.
Në lutjen dërguar NATO-s thuhet se Mali i Zi kërkon 320 respiratorë dhe mbi 5.6 milionë maska kirurgjikale.
Sipas mundësive, Mali i Zi kërkon edhe rreth një milion maska të posaçme me filtra dhe rreth 6.5 milionë dorëza.
Qendra për Koordinimin e Përgjigjeve ndaj Fatkeqësive është një mekanizëm civil i NATO-s për reagim në situatat e jashtëzakonshme.
Mali i Zi është bërë vendi i fundit në Evropë që ka raportuar rastet e para me koronavirus më 17 mars.