Skocia njofton edhe për gjashtë të vdekur
Autoritetet skoceze njoftuan se edhe gjashtë persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 47.
Rreth 1.563 njerëz janë testuar si pozitivë për Covid-19.
Një Qendër e Ekspozitave në Glasgou është duke u shndërruar në një spital të përkohshëm i cili mund të ketë vend për 1000 pacientë. Ai pritet të jetë operacional brenda dy javësh.
Ministrja spanjolle: Kulmi i të infektuarve me koronavirus po rrafshohet
Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzales, tha në një intervsitë për BBC-në se shifrat e fundit të të prekurve me koronavirus në këtë vend, tregojnë se “kulmi i sëmundjes po rrafshohet”.
Autoritetet spanjolle i konfirmuan të hënën edhe 6,398 raste të reja me koronavirus.
Kjo e çon në 85,195 numrin total të të infektuarve në Spanjë.
Autoritetet raportuan edhe për 812 viktima në 24 orët e fundit, të cilat e çojnë në 7,340 numrin total të të vdekurve.
Me këto shifra të viktimave, Spanja është vendi më i prekur në botë, pas Italisë.
Madridi, Katalonja dhe rajoni bask mbeten zonat më të prekura në Spanjë.
Megjithatë, sipas autoriteteve, numri i të infektuarve të rinj në këtë vend është më i vogli i raportuar në një javë.
Ministrja Gonzales tha se presioni ndaj njësive të kujdesit intensiv mbetet sfida më e madhe, por shtoi se kufizimet e lëvizjes së njerëzve do të ndihmojnë në kontrollimin e përhapjes së sëmundjes.
Ajo tha se është e padrejtë të veçohet Spanja, sepse edhe vendet e tjera - përfshirë Italinë dhe SHBA-në - kanë shifra të papara të të infektuarve.
Netanyahu do të hyjë në karantinë
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të hyjë në karantinë, pasi një ndihmës i ngushtë i tij ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, raporton gazeta Haaretz.
Zyra e tij tha se ai do të hyjë në karantinë së bashku me këshilltarët e tij të ngushtë.
Zyra e Netanyahut po ashtu tha se kjo është një masë paraprake.
Në Çeki nis zbatimi i “karantinës së mençur”
Në Republikën Çeke ka nisur të hënën testimi i së ashtuquajturës “karantinë e mençur”, e cila parashah që përmes të të dhënave nga ofruesit e telefonisë celulare dhe kartat bankare, të gjurmohen kontaktet e njerëzve të prekur me koronavirus.
Kjo masë, e cila ka rezultuar e suksesshme në Tajvan dhe Kore të Jugut, do të zbatohet fillimisht në rajonin çek të Moravisë së Jugut, me synimin që të gjithë qytetarët çekë të lirohen sa më shpejt nga kufizimet e lëvizjes.
“Karantinën e mençur” e organizon ushtria, ndërsa menaxhohet nga kreu i Shtabit Qendror Kombëtar të Krizave, epidemiologu Roman Primula.
Ai ka thënë se pas Festës së Pashkëve, që i bie në mes të prillit, kjo masë do të zbatohet në të gjitha rajonet çeke.
"Karantina e mençur" do të thotë që, me pëlqimin e personit të infektuar, ofruesi i telefonit të tij celular do të përcaktojë vendndodhjen e tij dhe, përmes GPS-it apo të dhënave të tij bankare, do të përcaktojë se ku ka lëvizur gjatë pesë ditëve të fundit dhe cilët persona mund t’i ketë infektuar.
Personat me të cilët ka qenë në kontakt i infektuari, do të duhet të izolohen.
Për "karantinën e mençur", ushtria ka ndarë 253 trupa dhe 82 automjete.
Aktualisht, në Republikën Çeke janë 2,866 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa 17 pacientë kanë vdekur.
Kryeministri çek, Andrej Babis, ka thënë më 27 mars se pret që Qeveria e tij ta zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë të tjera.
Dekreti aktual përfundon më 11 prill.
Parlamenti duhet të miratojë çdo zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme.