Portugalia u garanton imigrantëve të drejta sikurse shtetasve tjerë
Imigrantëve pa dokumente dhe azilkërkuesve në Portugali u janë garantuar të njëjtat të drejta sikurse shtetasve të tjerë në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, duke përfshirë qasje në kujdes shëndetësor, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Kjo nuk është rregullore automatike”, ka thënë Agjencia për Kontrollin Kufitar, SEF, për agjencinë e lajmeve AFP, duke dhënë shenja se procesi i imigrimit duhet të rikthehet në fillim të muajit korrik.
Policia kufitare nuk ka treguar se sa njerëz janë prekur nga kjo masë, e cila ka nisur së zbatuari të premten, duke iu krijuar qasje migrantëve në kujdes shëndetësor dhe ndihma sociale, të siguruara nga shteti.
Vendimi i Portugalisë është mirëpritur të hënën nga Komisionarja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatoviq.
“Është një praktikë e mirë e mbrojtjes së njerëzve të ndjeshëm dhe të vepruarit me përgjegjësi ndaj pandemisë”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Gjendja e jashtëzakonshme në këtë shtet, e shpallur më 18 mars, pritet të zgjatet të mërkurën edhe për dy javë të tjera.
Sipas të dhënave zyrtare, Portugalia ka raportuar për 6,400 persona të infektuar dhe 140 të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Fshati Topanicë shpallet zonë karantine
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se fshati Topanicë është shpallur zonë karantine nga Ministria e Brendshme në Kosovë.
Sipas tij, ky vendim është marrë pasi një person i dyshuar me koronavirus në këtë komunë dyshohet se ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me banorët tjerë të fshatit në fjalë.
“Për luftimin e kësaj pandemie nuk mjafton vetëm karantinimi i një zone të caktuar, por këtë duhet ta bëjmë të gjithë. Të rrimë në shtëpitë tona në secilën pjesë të komunës”, ka thënë mes tjerash Kastrati në një postim në rrjetin social, Facebook.
Aktualisht në Kosovë është raportuar për 106 persona të infektuar me koronavirusin e ri, derisa një pacient ka vdekur nga kjo sëmundje.
Qeveria në largim e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.
Banka Botërore: 24 milionë persona nuk do të mund t’i ikin varfërisë
Kriza ekonomike nga pandemia e koronavirusit do t’i përballë gati 24 milionë persona me varfëri në Lindje të Mesme dhe Paqësor, ka thënë Banka Botërore.
Në raportin e saj të fundit, Banka ka thënë se “kriza e madhe ekonomike do të jetë e pashmangshme në të gjitha shtetet”, derisa ka paralajmëruar për “rrezik më të madh” për familjet që varen nga industritë e prekura nga virusi.
Aty përfshihet turizmi në Tajlandë dhe Ishujt e Paqësorit, sikurse edhe prodhimi në Vietnam dhe Kamboxhia.
Sipas skenarit më të keq, Banka parashikon që pothuajse 35 milionë persona mund të pritet që të mbesin në varfëri, duke përfshirë 25 milionë persona në Kinë.
Kjo Bankë e definon linjën e varfërisë si mbijetesë me 5.50 dollarë në ditë apo më pak.
Banka Botërore parasheh që rritja ekonomike në këto rajone do të ngadalësohet në 2.1 për qind këtë vit, në krahasim me 5.8 për qind sa ishte më 2019.
Edhe 128 vdekje të reja nga koronavirusi në Gjermani
Gjermania ka raportuar për 128 vdekje shtesë dhe 4,615 raste të konfirmuara të koronavirusit nga ditë e hënë, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters, duke cituar Insititutin Robert Koch.
Sipas kësaj agjencie të shëndetit publik, numri i të infektuarve në këtë shtet nga virusi arrin në 61,913, ndërsa i të vdekurve në 583.
Në qytetin lindor, Jena, pasagjerët e transportit publik dhe shitësit nëpër dyqane do të duhet të vendosin maskë mbrojtëse.
Në mungesë të maskës, njerëzve do t’iu lejohet vendosja e shallit, për të mbuluar hundën dhe gojën.
Këshilli i këtij qyteti ka thënë se rregullat e reja do të nisin së zbatuari nga java e ardhshme.