Ushtrime në kohën e koronavirusit
Para shfaqjes së koronavirusit të ri, Arineta Mula rregullisht është marrë me vrapim dhe ngjitje malore. Njëjtë si shumica prej nesh, edhe Arineta po qëndron në shtëpi prej nga ka gjetur një mënyrë interesante për t’i ndihmuar njerëzit që të mos mërziten në shtëpi.
SHBA-ja, në "formë të mirë" për t'u përballur me pikun e koronavirusit
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “në formë shumë të mirë”, sa i përket numrit të ventilatorëve, për t’u përballur me pikun e epidemisë së koronavirusit.
Presidenti amerikan ka thënë se të paktën 10 kompani amerikane tani janë duke krijuar pajisje mjekësore dhe disa prej tyre mund të eksportohen.
Koronavirusi i ri mund të shkaktojë probleme me frymëmarrje pasi sulmon mushkëritë.
Prandaj ventilatorët shfrytëzohen për t’iu ndihmuar pacientëve për të marrë frymë.
Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është raportuar për 163,000 raste të konfirmuara dhe 3,000 të vdekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Nju Jorku është prekur më së keqi nga kjo sëmundje me 914 viktima, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Javën e kaluar SHBA-ja është kthyer në vendin me më së shumti të infektuar duke kaluar edhe Italinë dhe Kinën.
Nju Jorku ka nevojë për punonjës shëndetësorë
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ka bërë një lutje për punonjësit e kujdesit shëndetësor në të gjithë SHBA-në, për ta ndihmuar shtetin e tij, pasi është goditur më së rëndi nga përhapja e koronavirusit.
"Nëse nuk keni një krizë të kujdesit shëndetësor në komunitetin tuaj, ju lutemi ejani në Nju Jork dhe na ndihmoni. Ne kemi nevojë për përkrahje", ka thënë Cuomo.
Infeksionet në këtë shtet janë rritur në 66.497 raste me gjithsej 1,218 vdekje.
Cuomo përsëriti paralajmërimet e tij se në Nju Jork së shpejti do të përfundojnë pajisjet kritike mjekësore.
Italia do të zgjasë afatin e izolimin
Italia do të zgjasë izolimin e përgjithshëm deri së paku më 12 prill, tha ministri i Shëndetësisë i Italisë.
Numri i vdekjeve në këtë vend nga koronavirusi ka arritur në 11.591.
Italia është vendi më i goditur në botë nga koronavirusi. Autoritetet vendosën karantinë të përgjithshme para mëse tre javësh.