Vdes një 12-vjeçare nga koronavirusi në Belgjikë
Një vajzë 12-vjeçare nga Belgjika është kthyer në personin më të ri në Evropë, që ka vdekur pas infektimit me koronavirus, transmeton SkyNews.
Autoritetet në Belgjikë kanë thënë se fëmija deri më tani është personi më i ri, në mesin e mbi 700 viktimave që janë regjistruar në këtë shtet.
Zëdhënësi i qendrës për kriza kombëtare, Emmanuel Andre ka thënë se ky është “një moment emocionalisht i vështirë, sepse përfshin një fëmijë por edhe pas shqetësimit që ka krijuar në komunitetin mjekësor dhe atë shkencor”.
Ende nuk është bërë e ditur nëse vajza ka pasur probleme paraprake shëndetësore.
Andre ka thënë se 98 persona kanë vdekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi në 24 orët e fundit, duke e dërguar në 705 numrin e të infektuarve në vendin me 11.5 milionë banorë.
Deri më tani është raportuar për 12,705 persona të infektuar me këtë sëmundje në Belgjikë.
Buxheti i Kosovës rrezikon të humbë rreth 200 milionë euro
Masat që Kosova ka ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, siç janë kufizimet në ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, shlyerja dhe shtyrja e obligimeve tatimore dhe masa tjera, vlerësohet se do të ndikojnë në uljen e të hyrave për buxhetin e Kosovës.
Institucionet përgjegjëse për mbledhjen e taksave, tatimeve dhe detyrimeve të ndryshme financiare janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se nga parashikimet e bëra, buxheti i shtetit mund të ketë deri në 200 milionë euro më pak të hyra.
Si do të menaxhohet kjo situatë? Lexoni hollësitë këtu.
Rusi: Duma shtetërore i hap rrugë gjendjes së jashtëzakonshme
Ligjvënësit rusë kanë miratuar legjislacionin që i lejon kryeministrit rus, Mikhail Mishustin, që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, teksa ky shtet ka regjistruar rritje prej 27 për qind të rasteve të konfirmuara me koronavirus brenda një dite.
Ky projektligj i lejon tani qeverisë që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në gjithë shtetin dhe të prezantojë zbatim të masave të detyrueshme gjatë kësaj periudhe.
Deputetët kanë miratuar edhe dënim me burg deri në pesë vjet për ata persona që “me qëllim” shpërndajnë informacion të rremë dhe deri në shtatë vjet burgim për personat që shkelin rregullat e higjinës apo masën e karantinës.
Miratimi i këtij dokumenti vjen në kohën kur të dhënat e zyrtarëve shëndetësorë tregojnë se brenda 24 orëve në Rusi është raportuar për 500 persona të infektuar apo 2,337 persona në total.
Task-forca federale kundër koronavirusit ka thënë më 31 mars se numri i të vdekurve ka arritur në 17, ndonëse kritikët dhe vetë rusët kanë ngritur dyshime për vërtetësinë e këtyre shifrave.
Deri më tani qeveria ka marrë vendim për mbyllje të kufijve shtetërorë nga 30 marsi, duke lejuar vetëm diplomatët rusë, dhe makinat e domosdoshme që të hyjnë në territorin e këtij shteti.
Shqipëri: 13 viktima dhe 243 të prekur me COVID-19
Ka shkuar në 13 numri i personave që kanë ndërrua jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë në spitalin infektiv një paciente 82-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 62-vjeçar nga Durrësi, të konfirmuar me COVID-19, por kanë pasur edhe sëmundje të tjera.
Këtë e ka bërë të ditur Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, gjatë komunikimit të përditshëm lidhur me situatën me koronavirus.
Ajo tha se në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 1,671 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 243 raste.