Fjalori i termeve të përdorura në krizën me COVID-19
Covid-19, Koronavirusi, SARS-CoV-2, Distancimi fizik (distancimi social), Vetizolimi, PPE... të gjitha këto shprehje i janë shtuar përditshmërisë sonë së fundmi.
Klikoni këtu për të kuptuar kuptimin e saktë të secilës shprehje.
Policia e Kosovës njofton për rritje të sulmeve kibernetike
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë rritur rastet e sulmeve kibernetike, pas situatës së krijuar me pandeminë e koronavirusit të ri.
Sipas policisë, kjo gjendje po shfrytëzohet nga persona keqbërës, të cilët keqpërdorin mundësitë teknologjike dhe internetin, me qëllim të përfitimit material, por edhe për qëlllime tjera të paligjshme.
“Mashtrimi kompjuterik ka të bëjë me kërkesat për pagesa gjoja për shërimin e pacientëve me COVID-19, pastaj marrja e të dhënave personale përmes e-mail-ave të cilët kanë të bashkëngjitur virus kompjuterik të mbuluar me ndonjë dokument dhe link”, thuhet në njoftimin e policisë.
Prandaj, Policia iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të internetit.
Lajmin e plotë e gjeni këtu
Filma nga veturat sikur në vitet e 80-ta
Kur të gjitha institucionet kulturore në Essen të Gjermanisë janë të mbyllura për shkak të koronavirusit, qytetarët i janë kthyer viteve të 80-ta duke shikuar filma nga veturat e tyre.
Një punëtor i burgut në Mitrovicën e Veriut infektohet me koronavirus
Një punëtor i burgut në Mitrovicën e Veriut, i cili i përket kombësisë serbe, është infektuar me koronavirusin e ri, dhe shtatë të tjerë kanë simptoma të ngjashme, konfirmoi kryetari i Shtabit të Krizave të Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq.
Spiriq është edhe president i Organit të Përkohshëm të Komunës së Mitrovicës, i cili vepron brenda sistemit serb.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se i infektuari është një punëtor mjekësor në burgun e Mitrovicës së Veriut.
"Stafi do të testohet nga ekipi i Prishtinës deri në fund të ditës, pasi bëhet fjalë për shërbimin e tyre të burgjeve", tha Spiriq, duke theksuar se situata në veri të Kosovës është shumë shqetësuese, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut.
Ai i bëri thirrje secilit person që ka pasur ndonjë kontakt me njerëzit në një dasmë të zhvilluar më 14 mars, të raportojnë nëse kanë ndonjë simptomë të sëmundjes.
Ai tha se nëse qytetarët sillen në mënyrë të papërgjegjshme, mund të ketë pasoja të mëdha në Mitrovicën e Veriut.
Në Institutin e Shëndetit Publik në Mitrovicën e Veriut, i cili funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë, janë testuar 25 pacientë, 10 prej të cilëve janë në pritje të rezultateve, dhe dy kanë dalë pozitivë me koronavirus.
Mostrat janë analizuar në Institutin Torlak në Beograd.
Sistemi shëndetësor në komunitetet serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit të Serbisë.
Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte thënë se ata nuk ishin në gjendje të monitorojnë gjendjen në mjediset serbe, sepse institucionet kompetente nga ato mjedise që funksionojnë në sistemin serb nuk e kanë informuar Prishtinën për rastet pozitive me COVID-19.