Rritet numri i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar
Autoritetet britanike raportuan se 393 persona të tjerë me koronavirus kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar gjatë 24 oëve të fundit. Kjo shifër shënon numrin më të madh të vdekjeve brenda një dite që nga shpërthimi i koronavirusit në këtë vend.
Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 1,801 njerëz.
Gjykata Kushtetuese e shpall të pavlefshëm vendimin e qeverisë për kufizimin e lëvizjes
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin ta shpallë të pavlefshëm.
Gjykata ka konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Vendimin e qeverisë të datës 23 mars për kufizim të masave të lëvizjes e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Më 23 mars qeveria kishte vendosur dy orare për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, përkatësisht nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00.
SHBA-ja ndërton spitale të përkohshme
Zyrtarët amerikanë planifikojnë ndërtimin e qindra spitaleve të përkohshme, në të gjithë vendin për të përballuar mijëra raste të reja të koronavirusit.
Shtetet e Bashkuara të hënën raportuan për 575 vdekje nga sëmundja COVID-19.
Zyrtarët e SHBA-së kanë vlerësuar se numri i vdekjeve mund të arrijë në 100,000 deri në 200,000.
Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë amerikane, po kërkon hotele, konvikte, qendra kongresesh dhe hapësira të mëdha të hapura për të ndërtuar më shumë se 341 spitale të përkohshme, tha shefi i trupave të martën.
Dy viktima dhe 44 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut ka regjistruar edhe dy viktima nga koronavirusi duke e çuar në 9 numrin e të vdekurve nga Covid-19, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë. Viktimat e reja janë një 45 vjeçar nga Kumanova dhe një 78 vjeçar nga Dibra. Sipas njoftimit të ministrisë, viktima nga Kumanova vuante edhe nga një disa sëmundje tjera kronike, si diabeti, tensioni i lartë, obeziteti ndërsa viktima nga Dibra ishte me tension të lartë dhe sëmundje tjera kronike.
Gjatë 24 orëve të kaluara është regjistruar edhe numri më i lartë me rezultatet pozitive me koronavirusin. Nga 392 teste të kryera, 44 persona kanë dalë pozitiv. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 329 ndërsa numri më i madh i tyre është në Shkup, gjithsej 175. Për ministrinë e Shëndetësisë numri i deritanishëm i të prekurve nuk është edhe shumë shqetësues.
“Ky ka qenë qëllimi ynë që nga fillimi, me këtë ritëm sistemi ynë shëndetësor do të jetë në gjendje t'u shërbejë qytetarëve dhe të përballoj mirë situatën me koronavirusin. Kulmi i epidemisë nuk ka ardhur ende dhe tani është e nevojshme që të gjithë të respektojnë deri në fund masat dhe rekomandimet e qeverisë”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Fotogaleri: