Thaçi: Qytetarët të qëndrojnë në shtëpi
Pas raportimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik se në Kosovë janë shëruar pesë persona nga koronavirusi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përgëzoi stafin mjekësor për punën që po bën, përderisa qytetarëve u bëri të qëndrojnë në shtëpi.
“Më gëzoi shumë shërimi i plotë i pesë të infektuarve me virusin COVID-19. Mbetem me shpresë e besim, që së shpejti do të shërohen edhe të tjerët. E përgëzoj stafin mjekësor për punën e mirë që po bën. Qytetarët duhet të vazhdojnë të rrinë në shtëpi dhe të kujdesen për veten dhe më të dashurit e tyre”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.
Deri më 31 mars në Kosovë është shënuar vetëm një vdekje nga koronavirusi.
Numri i të infektuarve ka arritur në 112 persona.
Kosovë: 112 persona të infektuar me koronavirus, gjashtë të shëruar
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe katër raste të reja me koronavirus.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, 2 prej të cilëve janë me vendbanim në Mitrovicën veriore, 1 me vendbanim në Vushtrri dhe 1 me vendbanim në Malishevë”, ka thënë Instituti.
Ndërkohë, sipas njoftimit, pesë raste tjera që kanë qenë me koronavirus janë shëruar.
“Pas përsëritjes së dytë të testimit, edhe pesë pacient konfirmohen zyrtarisht të shëruar nga COVID-19", thuhet në njoftim.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia konfirmoi se numri i përgjithshëm i të shëruarve në Kosovë, që nga shpërthimi i pandemisë ka arritur në gjashtë.
Turqia konfirmon për 2,705 raste të reja me koronavirus
Në Turqi kanë vdekur edhe 46 persona nga koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë vend ka arritur në 214 persona. Autoritetet turke konfirmuan edhe 2,705 raste të reja me infeksion duke çuar numrin e përgjithshëm në 13,531.
Ministria e Shëndetësisë e Turqisë tha se rreth 243 pacientë janë shëruar nga virusi deri më tani.
Guvernatori i Nju Jorkut: E nënvlerësuam koronavirusin, është i rrezikshëm
Në Shtetet e Bashkuara, guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, përsëri ka bërë thirrje për më shumë furnizime si dhe një strategji më të mirë kombëtare për të luftuar Covid-19.
"Ne e nënvlerësuam këtë virus. Është më i fuqishëm, është më i rrezikshëm nga sa prisnim", theksoi ai.
Shteti, i cili mbetet epiqendra e shpërthimit në SHBA, ka nevojë shumë të madhe për pajisje dhe staf.
Cuomo bëri thirrje për një strategji mbarëkombëtare përmes së cilës shtetet, së bashku ndihmojnë në zbutjen e pikut të krizës .
"Ejani të na ndihmoni në Nju Jork, të merrni pajisjet, të merrni trajnimin, të merrni përvojën, dhe pastaj le të shkojmë të gjithë të ndihmojmë vendin tjetër," tha Cuomo.
Nju Jorku tani ka 1.550 vdekje nga koronavirusi. Ekspertët po parashikojnë se kulmi i infeksioneve atje do të jetë në 14-30 ditët e ardhshme.