Rritja e çmimeve ka rritur punën e mullirit 500-vjeçar
Kosova, si shumë vende të botës, po përballet me pandeminë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton një koronavirus i ri.
Mungesa e miellit në treg ka bërë që të rritet edhe puna në një mulli që bluan vetëm misër.
Banorë të rajonit të Hasit të Prizrenit presin në radhë për të bluar misrin në këtë mulli të vjetër 500 vjet.
Koronavirusi vazhdon shtrirjen në Afrikë
Burundi dhe Siera Leone janë bërë vendet e fundit afrikane që kanë raportuar rastet e para me koronavirus.
Më herët, ekspertët shëndetësorë kanë shprehur dyshime ndaj deklaratave të Burundit për asnjë rast, por presidenca e këtij vendi ka thënë se Burundi është përjashtim sepse e ka vënë “Zotin në vend të parë”.
Tani, zyrtarët atje thonë se dy shtetas kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus, pasi janë kthyer nga Ruanda dhe Dubai.
Në Siera Leone, një burrë 37 vjeç, i cili është kthyer nga Franca, është diagonostikuar me koronavirus.
Qeveria atje ka thënë se, tash për tash, nuk do t’i izolojë qytetarët, por ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Në gjithë Afrikën janë mbi 5,400 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa 172 pacientë kanë humbur jetën.
Pa shaka ju lutemi, paralajmëron Gjermania
Një prilli njihet si Dita e Mashtrimeve dhe në shumë vende të botës shënohet me shaka.
Por, Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë ka paralajmëruar se koronavirusi nuk është për të qeshur.
“Në situatën aktuale, ju lutemi të mos sajoni rrëfime me temë koronavirusin”, ka shkruar Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë në një postim në Twitter.
Keqinformimet në lidhje me pandeminë globale thuhet se kanë vërshuar internetin muajt e fundit.
Gjermania është vendi i pestë më i prekur në botë nga koronavirusi.
Amerikanët paralajmërohen për “ditë të vështira”
Në Shtetet e Bashkuara, numri i viktimave nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka kaluar 4,000, ndërsa numri i të infektuarve është afro 190,000.
Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins në SHBA tregojnë se 4,076 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19 dhe zyrtarë të shëndetit publik paralajmërojnë se kjo shifër mund të arrijë deri në 240,000.
“Sado që është numër serioz, ne duhet të përgatitemi për të”, tha Anthony Fauci, ekspert i sëmundjeve infektive në SHBA.
Megjithatë, ai shtoi se masat parandaluese, të tilla si distancimi fizik, janë duke funksionuar dhe se autoritetet shpresojnë që numri i viktimave të mos rritet, nëse të gjithë e bëjnë pjesën e tyre për parandalimin e përhapjes së virusit.
Fauci foli përkrah presidentit amerikan, Donald Trump, në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.
“Dua që çdo amerikan të jetë i përgatitur për ditë të vështira. I kemi dy javë të ashpra përpara”, tha Trump.
Në gjithë botën, mbi 850,000 njerëz janë infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 42,000 kanë vdekur.
Italia ka numrin më të madh të viktimave: mbi 12,400.
Qeveria amerikane është duke ndërtuar spitale të përkohshme pranë qyteteve të mëdha, për të lehtësuar ngarkesat e mjediseve të kujdesit shëndetësor.