Rrugët e zbrazëta të qytetit që nuk fle kurrë
Nju Jorku është vendi më i goditur nga koronavirusi i ri në SHBA. Këto janë disa pamje të rrugëve të zbrazëta. (Reuters)
Shënohet vdekja e parë nga koronavirusi në Sllovaki
Sllovakia regjistroi të martën vdekjen e saj të parë nga koronavirusi, njoftoi Qendra Kombëtare e Shëndetit.
Që nga mesnata e së hënës, Sllovakia kishte 363 raste të konfirmuara me infeksion të koronavirusit.
Vendi i Evropës qendrore ka ndaluar udhëtimet ndërkombëtare në përpjekje për të frenuar epideminë, pastaj ka mbyllur shkollat dhe shumicën e dyqaneve, si dhe e bëri të detyrueshme vendosjen e maskës mbrojtëse për qytetarët që dalin jashtë shtëpisë.
Profesori prodhon maska me printer 3D në luftën kundër koronavirusit
Shaban Buza, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, së bashku me vajzën e tij, Dean, nisën një iniciativë për prodhimin e maskave mbrojtëse për stafin mjekësor që po përballet me luftën kundër koronavirsuit. Iniciativës së tyre, në Kosovë dhe Shqipëri ju bashkuan shumë të tjerë.
Guterres: Pandemia është kriza më sfiduese pas Luftës së Dytë Botërore
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka quajtur pandeminë e koronavirusit si krizën më sfiduese globale që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas tij përballja me pandeminë, që po kërcënon njerëzit në çdo vend, do të sjellë një recesion "që ndoshta nuk ka një paralele në të kaluarën e fundit".
Guterres i bëri komentet gjatë pezantimit të një raporti mbi ndikimet socio-ekonomike të COVID-19.
Raporti konkludon se ekziston rreziku që pandemia dhe ndikimi ekonomik i masave të shëndetit publik të kontribuojnë në "paqëndrueshmëri të shtuar, trazira dhe konflikt të zgjeruar".
Guterres gjithashtu tha se duhet të ketë një reagim më të fortë dhe më efektiv global ndaj epidemisë dhe shkatërrimit social dhe ekonomik që po shkakton ajo.
Koronavirusi i ri u shfaq për herë të parë në Kinë në dhjetorin e vitit të kaluar. Deri më tani më shumë se 150 shtete kanë raportuar për infeksione me këtë virus, përderisa shumë shtete në botë kanë imponuar masa të izolimit të plotë.
Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në gjithë botën janë 838,061 raste të konfirmuara me koronavirus.
Deri më 31 mars janë shënuar 40,708 të vdekur.
Nga sëmundja janë shëruar 174,115 persona.