Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:41 1.4.2020

Tregjet e aksioneve pësuan tremujorin më të keq që nga viti 1987

Tregjet e aksioneve në gjithë botën kanë pësuar humbje historike në tre muajt e parë të këtij viti, për shkak të situatës së krijuar e pandeminë e koronavirusit.

Indeksi Dow Jones, një tregues kyç i tregut të aksioneve në SHBA, ka rënë për 23 për qind – çfarë është rënia më e madhe në një tremujor që nga viti 1987.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me indeksin e Londrës, FTSE 100, i cili ka rënë për 25 për qind.

Indeksi S&P 500, i cili mat performancën e aksioneve të 500 ndërmarrjeve të mëdha, të listuara në bursat në Shtetet e Bashkuara, ka humbur 20 për qind të vlerës gjatë tremujorit të kaluar – çfarë paraqet rënien më të madhe qysh në vitin 2008.

Dobësimi vjen pasi autoritetet kanë urdhëruar ndalimin e shumicës së aktiviteteve, në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Ekonomistët kanë paralajmëruar se goditja në ekonominë globale ka të ngjarë të jetë më e keqe sesa kriza financiare e 2008-ës.

"Mbetemi shumë të shqetësuar për parashikimin negativ të rritjes globale në vitin 2020”, ka thënë shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

 

 

10:10 1.4.2020

QKUK publikon të dhënat e fundit për pacientët me COVID-19

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Univerisitare të Kosovës (QKUK), gjashtë persona të prekur me koronavirus janë duke u trajtuar me okigjenoterapi, ndërsa një pacienteje i është përkeqësuar gjendja.

“Një paciente ndodhet në kujdesin intensiv të klinikës dhe ka përkeqësim të gjendjes, është në ventilim mekanik”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Në këtë institucion aktualisht janë të shtrirë 43 të sëmurë me COVID-19, sëmundjen që e shakton koronavirusi.

Sipas QKUK-së, shumica e tyre janë në gjendje stabile.

“Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, të testuar pozitivë me COVID-19 vazhdojnë të jenë tri infermiere, në gjendje të mirë shëndetësore, prej të cilave dy janë duke u trajtuar në klinikë, ndërsa njëra është e vetizoluar në shtëpi”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë, aktualisht janë të regjistruara 112 raste me koronavirus, një pacient ka vdekur dhe gjashtë janë shëruar.

09:51 1.4.2020

Disa këshilla të Organizatës Botërore të Shëndetësisë:

 

09:16 1.4.2020

Të gjithë ligjvënësit bullgarë do të testohen për koronavirus

Të gjithë ligjvënësit bullgarë do t’iu nënshtrohen testeve për koronavirus, pasi një anëtar i Parlamentit të Bullgarisë ka dalë pozitiv ndaj sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e parlamentit, Tsveta Karayancheva.

Ligjvënësi që ka dalë pozitiv është Hasan Ademov, tha ajo.

Gjenerali Ventsislav Mutafchiiski, shef i Selisë Qendrore të Operacioneve Kombëtare të Bullgarisë, tha se Ademov është në spital, por nuk dha detaje të tjera.

Parlamenti bullgar, i cili përbëhet prej 240 anëtarësh, ka paralajmëruar mbledhje për buxhetin më 2 prill.

Nuk është ende e qartë nëse takimi do të mbahet sipas planifikimeve.

Deri më 31 mars, Bullgaria ka konfirmuar gati 400 raste të të infektuarve me koronavirus dhe tetë vdekje.

Bullgaria ka mbyllur shkolla, restorante dhe bare dhe ka kufizuar udhëtimin ndërkombëtar së paku deri më 13 prill, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG