Turkmenistani "e ndalon fjalën koronavirus"
Turkmenistani, vend i njohur për qeverinë e tij autokratike dhe rezerva të mëdha të gazit, ka marrë një qasje ekstreme ndaj koronavirusit.
Ai, në fakt, e ka ndaluar përdorimin e kësaj fjale.
Grupi i Reporterëve pa Kufij raporton se media shtetërore e ka ndaluar përdorimin e fjalës koronavirus dhe se kjo fjalë është hequr nga broshurat e informacionit shëndetësor.
Njerëzit që vënë maska në fytyrë ose flasin për koronavirusin mund të arrestohen nga policia, thonë Reporterët pa Kufij.
Turkmenistani, deri më tash, nuk ka raportuar asnjë rast të të infektuarve me koronavirus.
Irani fqinj, ndërkaq, ka mbi 47,000 raste.
Spanja me mbi 100,000 të infektuar dhe rekord të ri viktimash
Numri i të infektuarve me koronavirus në Spanjë ka kaluar 100,000, ndërsa numri i të vdekurve, i raportuar në 24 orët e fundit, ka shënuar rekord të ri, tha të mërkurën Ministria e Shëndetësisë e Spanjës.
Sipas saj, numri i të infektuarve ka arritur në 102,136 të mërkurën, nga 94,417 sa ka qenë të martën.
Ndërkaq, numri i viktimave nga COVID-19 – sëmundja që e shkakton koronavirusi – është rritur për 864, përkatësisht në 9,053 nga 8,189 sa ka qenë një ditë më herët.
Spanja ka numrin më të madh të viktimave pas Italisë.
Kjo e fundit aktualisht ka 12,428 të vdekur nga COVID-19.
Rusia e ndihmon SHBA-në në luftën kundër koronavirusit
Rusia tha se ka dërguar në Shtetet e Bashkuara një aeroplan ushtarak me pajisje mjekësore, për t’i ndihmuar ato në luftën kundër koronavirusit.
Televizioni shtetëror rus Rossiya 24 shfaqi të mërkurën pamje të aeroplanit duke u nisur nga një bazë ushtarake pranë Moskës.
Dërgesa duket të jetë rezultat i një bisede telefonike që presidenti amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin, më 30 mars.
“Trump e ka pranuar me mirënjohje këtë ndihmë humanitare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Uashingtoni nuk e ka konfirmuar fluturimin e aeroplanit rus, por Trump ka folur për marrjen e ndihmës nga Rusia gjatë një konference për gazetarë, më 30 mars.
Shumë kritikë të Moskës kanë thënë se Rusia po e përdor ndihmën si pjesë të një fushate të dezinformimit dhe propagandës, për të mbjellë frikë dhe për të forcuar imazhin e Putinit.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në SHBA ka kaluar 4,000, ndërsa të infektuar janë afro 190,000.
Në Rusi, ku është vënë në dyshim saktësia e të dhënave zyrtare, numri i rasteve të konfirmuara është rritur në ditët e fundit, por ende duket i ulët në krahasim me vendet e tjera evropiane.
Sipas zyrtarëve rusë, numri i të infektuarve në këtë vend është 2,777, ndërsa 24 pacientë kanë vdekur.
Holanda zgjat mbylljen e shkollave
Holanda ka zgjatur mbylljen e shkollave, restoranteve dhe bareve edhe për një muaj, pasi numri i të infektuarve me koronavirus në këtë vend vazhdon të rritet.
Kryeministri Mark Rutte tha se mbyllja do të vazhdojë së paku deri më 28 prill.
Holanda nuk është nën izolim të plotë, por njerëzit janë inkurajuar që të praktikojnë distancimin fizik dhe të punojnë nga shtëpitë.
Tubimet e më shumë se tre njerëzve që nuk jetojnë bashkë, janë të ndaluara.
Deri më 31 mars, Holanda ka pasur afro 13,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 1,059 viktima nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.