Mbi 3,000 të vdekur nga koronavirusi në Iran
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Iran ka kaluar 3,000, pasi autoritetet kanë raportuar për 138 viktima në 24 orët e fundit.
Ato po ashtu kanë thënë se kanë regjistruar 2,987 raste të reja të të infektuarve, të cilat e çojnë në 47,593 numrin total të të prekurve me koronavirus.
Irani po lufton me një nga shpërthimet më të këqija të koronavirusit në botë.
Ai ka numrin më të madh të të prekurve dhe të viktimave në Lindjen e Mesme.
Disa kanë bërë thirrje për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër tij, për ta ndihmuar në trajtimin e krizës.
Bota mund të përballet me krizë ushqimi
Krerët e tri agjencive globale paralajmëruan të mërkurën për rrezikun e "mungesës së ushqimit" në të gjithë botën, nëse autoritetet nuk arrijnë ta menaxhojnë si duhet krizën e koronavirusit.
Shumë qeveri i kanë izoluar popullatat e tyre, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, por në këtë mënyrë është ngadalësuar edhe tregtia ndërkombëtare dhe furnizimi me ushqime.
"Pasiguria në lidhje me disponueshmërinë e ushqimeve mund të shkaktojë kufizime në eksport, duke krijuar mungesa në tregun global", thanë përmes një deklarate të përbashkët Qu Dongyu, kreu i Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi pranë Kombeve të Bashkuara (FAO), Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dhe Roberto Azevedo, drejtor i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
"Kur bëjnë veprime në mbrojtje të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve, vendet duhet të sigurojnë se masat që lidhen me tregtinë, nuk e prishin zinxhirin e furnizimeve me ushqim", thanë ata.
“Në kohët si këto, bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor”, thanë krerët e tri organizatave globale.
Kjo infografikë ju tregon për rëndësinë që ka larja e duarve me sapun:
Koreja e Veriut merr ndihmë nga OBSH-ja, edhe pse “nuk ka raste” me koronavirus
Organizata Botërore e Shëndetësisë do të shpenzojë 900,000 dollarë për të ndihmuar Korenë e Veriut në trajtimin e pandemisë së koronavirusit.
Ky lajm u bë i ditur nga agjencia jug-koreane e lajmeve Yonhap, e cila tha se ka analizuar të dhënat e postuara në ueb-faqen e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Koreja e Veriut thotë se nuk ka ende asnjë rast të të infektuarve me koronavirus, por vëzhguesit thonë se kjo ka pak gjasa të jetë e vërtetë.
Phenjani, megjithatë, ka thënë se ka ndërmarrë një varg masash kundër koronavirusit, duke mbyllur kufijtë dhe duke i bërë të detyrueshme periudhat e karantinës.
Aktualisht, numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus e kanë Shtetet e Bashkuara, me gati 190,000 raste.
Italia dhe Spanja kanë numrin më të madh të viktimave: 12,428, përkatësisht 8,464.