Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:02 1.4.2020

Është normale që këto ditë të ndihemi të zemëruar ose të strehuar gjatë kësaj periudhe të pandemisë me koronavirus. Shikoni këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si të veproni këto ditë.

 

18:54 1.4.2020

Anulohet organizimi i Wimbledon-it për shkak të koronavirusit

Turneu i tenisit në Britani të Madhe, Wimbledon është anuluar për herë të parë prej Luftës së Dytë Botërore, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Ky organizim ishte planifikuar të zhvillohej nga 29 qershori deri më 12 korrik.

Edhe turne tjerë të tenisit në botë, nuk do të mbahen deri më të paktën 13 korrik.

Wimbledon është ngarja ma e madha sportive që është anuluar, bashkë me Kampionatin Evropian të Futbollit 2020 dhe Lojërat Olimpike Verore të Tokios, pas përhapjes së virusit.

Lajmi për Wimbledon vjen pas anulimit të turneut, French Open, i cili ishte planifikuar të mbahej në muajin maj, mirëpo është shtyrë për muajin shtator.

“Ky është një vendim që nuk e kemi marrë lehtë, dhe kemi vepruar duke marrë parasysh shëndetin publik dhe mirëqenien e të gjithë atyre që e kanë bërë të mundur Wimbledonin”, ka thënë Ian Hewitt, udhëheqës i klubit të tenisit në Britani.

Deri më tani në Britani është raportuar për 29,842 persona të infektuar dhe 2,356 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

 

18:31 1.4.2020

Pakënaqësi me masat ekonomike për përballjen me koronavirusin

Masat ekonomike që janë miratuar nga qeveria për disa nga odat ekomomike dhe një pjesë të ekspertëve nuk janë të mjaftueshme në përballje me krizën ekonomike, pas përhapjes së koronavirusit edhe në Maqedoninë e Veriut.

Qeveria, të martën miratoi 17 masa të ndryshme në vlerë prej 200 milionë eurosh për të ndihmuar ekonominë dhe bizneset, ndërsa ka vendosur edhe uljen e pagave në nivelin e pagës minimale për të gjithë zyrtarët e emëruar në të gjitha nivelet e pushtetit qendror dhe lokal, kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndihmë për punonjësit e kulturës, sportit dhe mediave në nivelin e pagës minimale, e masa tjera.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se masat nuk janë edhe aq të favorshme, pasi nuk ofrohet një stabilitet apo siguri për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë edhe më të goditura nga kriza. Kryetarja e kësaj shoqate, Daniella Arsovska tha se këta sektorë duhet të ndihmohen me kredi më të larta, se ato të miratuara e që sillen prej tre mijë deri më 30 mijë euro.

Artikullin e plotë e gjeni këtu

Kryeministri i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski. Foto nga arkivi.
Kryeministri i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski. Foto nga arkivi.

 

18:03 1.4.2020

Moska zhvillon aplikacion për të vëzhguar zbatimin e karantinës

Autoritetet e Moskës kanë thënë se kanë krijuar një aplikacion për të ndihmuar në kontrollimin e lëvizjes së banorëve gjatë izolimit për shkak të koronavirusit.

Udhëheqësi i Departamentit të Teknologjisë Informative në Moskë, Eduard Lysenko, ka thënë më 1 prill se programi, që është duke u testuar, nuk do të jetë i detyrueshëm për të gjithë banorët, por vetëm për ata që janë konfirmuar me koronavirus.

Ky aplikacion do të mbledhë të dhëna nga telefonat e mençur dhe më pas do t’i dërgojë ata në serverët e zhvilluesve të këtij shërbimi.

Ndonëse zhvilluesit e aplikacionit pretendojnë se telefonët do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë publike, disa kritikë janë të shqetësuar për qasjen që do të ketë ky program në të dhënat personale.

Vladislav Zdolnikov, autor i një kanali në rrjetin Telegram, ka thënë se pasi ka studiuar kodin e aplikacionit, ka gjetur se ai transmeton të gjitha të dhënat në administratën e qytetit të Moskës, që i bie se të dhënat potencialisht mund të arkivohen nga zyrtarët e qytetit.

E përditshmja, Kommersant ka thënë më herët se autoritetet e Moskës mund të detyrojnë banorët që të pranojnë disa kode në telefon, secilën herë që dëshirojnë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Deri më 1 prill, Rusia ka raportuar zyrtarisht për 2,777 raste të prekura me koronavirus, një rritje prej 440 rasteve nga dita e kaluar.

Një total prej 24 personave kanë vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton virusi.

Disa kritikë kanë akuzuar qeverinë për mosraportim të saktë të të dhënave rreth të prekurve nga kjo sëmundje.

Pamje nga Moska.
Pamje nga Moska.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG