Gjuriq: Viktima e parë nga koronavirusi në mjediset serbe në Kosovë
Një pacient i infektuar me koronavirus nga Leposaviqi, në veri të Kosovës, ka vdekur pas transferimit për trajtim të mëtutjeshëm në Nish të Serbisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
Sipas tij, bëhet fjalë për një burrë, i lindur në vitin 1973, i cili ka pasur probleme me veshkat dhe ka qenë në dializë në spital të Mitrovicës së Veriut.
Në Kosovë deri më tash janë konfirmuar 128 persona të infektuar me koronavirus, prej të cilëve tre vijnë nga mjediset serbe, por janë të regjistruar në evidencën zyrtare të Qeverisë së Serbisë.
Me viktimën që ka konfirmuar Gjuriq, numri i të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë, është rritur në dy.
Koreja Jugore përgatitet për zgjedhje pavarësisht koronavirusit
Në Korenë Jugore ka nisur fushata dyjavore parazgjedhore, teksa kandidatët janë duke gjetur mënyra të reja për t’u lidhur me votuesit, meqë shteti përballet me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Kandidatët janë parë nëpër rrugët e Seulit duke dezinfektuar hyrjet e metrove dhe dyqaneve, në vend të prekjes së duarve të votuesve potencialë.
Partitë politike zakonisht do të mbanin marshe masive në gjithë shtetin, mirëpo kësaj herë një gjë e tillë nuk do të jetë e mundshme.
Në vend të kësaj, shumë kandidatë janë duke përdorur makina me altoparlantë për të dhënë mesazhin e tyre nëpër distrikte.
Ka pasur spekulime se zgjedhjet do të shtyheshin, mirëpo qeveria ka vendosur për mbajtjen e tyre më 15 prill.
Të gjithë votuesit do të duhen të vendosin maska, të qëndrojnë të paktën dy metra larg njëri-tjetrit në vendvotime dhe të vendosin doreza para se të votojnë.
Rreth 4,000 pacintë me koronavirus, që po trajtohen nga ky infeksion do të mund të votojnë përmes emailit.
Punëtorët në Kosovë pranojnë ndihmë direkte nga autoritetet
Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Financave dhe Transfereve në Kosovë, Agim Krasniqi, ka thënë se bizneset që nuk janë aktive gjatë periudhës së koronavirusit, duhet të dorëzojnë listën e punëtorëve me të dhënat e tyre tek autoritetet, ashtu që këto të fundit të transferojnë mjetet e ndara financiare në këtë fushë drejtpërdrejt te punëtorët dhe jo kompanitë.
“Punëtorët munden që edhe në mënyrë individuale të lajmërohen në zyret e punësimit dhe të dorëzojne kontratën e punës dhe atë të ndërprerjes si dhe llogarinë e bankës, në mënyrë që të shmangen keqpërdorimet me mjetet financiare”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka thënë se ky vendim është marrë pas miratimit të Pakos Emergjente, përmes së cilës do të ndahen fonde shtesë për skemat sociale dhe pensionale, mbështetje financiare për shoqëritë tregtare, huadhënie për ndërmarrjet publike në vështirësi, për komunat, shtesa për mjekë, infermierë, policë, punëtorët e dyqaneve, furrave, farmacive, e shtesa për kategori të tjera.
Vlera e Pakos së miratuar nga Qeveria e Kosovës kap vlerën e 179.6 milionë eurove.
Deri më tani në Kosovë është raportuar për 125 persona të prekur dhe një të vdekur me koronavirus.
Në kuadër të masave të marra me qëllim të luftimit të përhapjes së koroanavirusit, autoritetet në Kosovës kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Netanyahu u kërkon izraelitëve të vendosin maska në publik
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka bërë thirrje shtetasve të vendit që udhëheq për vendosje të maskave në publik, me qëllim të uljes së përhapjes së koronavirusit të ri.
Përmes një fjalimi televiziv, Netanyahu u ka thënë njerëzve se mund të krijojnë maska të improvizuara nëse kanë nevojë.
Vendosja e maskave është masë e detyrueshme në disa shtete, përfshirë Republikën Çeke, Sllovakinë, përderisa Austria ka kërkuar vendosjen e tyre vetëm në dyqane.
Mirëpo në vende tjera të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, ende është tërësisht në rregull të ecurit me fytyrë të zbuluar.
Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se Organizata vazhdon “të mbledhë vazhdimisht të dhëna për të kuptuar përdorimin e maskave në nivel më të gjerë, me qëllim të kontrollimit të koronavirusit”.