Ambasada britanike: Nuk është koha për manovrime politike
Ambasada britanike në Prishtinë ka thënë se në kohën kur shumica e vendeve në botë po përballen me pandeminë e koronavirusit, në Kosovë nuk është koha për manovrime politike, por për bashkëpunim të brendshëm dhe atë rajonal.
“Pas votës së mosbesimit në Kuvend, Mbretëria e Bashkuar fton që Kushtetuta të vazhdojë të respektohet, dhe që vendimet të mirren shpejt që t’i mundësohet Qeverisë në detyrë, ose asaj të re që mbrojtja e jetës së qytetarëve të jetë konsiderata kryesore. Ne, Mbretëria e Bashkuar, jemi pranë popullit të Kosovës dhe të rajonit gjatë kësaj krize globale”, është thënë në reagimin e kësaj ambasade përmes një shkrimi në rrjetin social, Facebook.
Kjo Ambasadë ka thënë po ashtu se përshëndet vendimin e Qeverisë në detyrë për largimin e tarifës 100 për qind në improtet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
“Ne ritheksojmë përkrahjen e qëndrueshme të Mbretërisë së Bashkuar për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe besojmë se mospajtimet, përfshirë barrierat jotarifore, mund të zgjidhen në këtë kornizë”, është thënë në reagim.
Ky dhe reagime të ngjashme të faktorit ndërkombëtar vijnë pas mbajtjes së mocionit të mosbesimit, të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti.
LDK-ja pati përmendur si arsye për këtë veprim, vendimin e Kurtit për shkarkim të Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm dhe prishjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara për heqje të taksës.
Taksa 100 për qind ishte vendosur nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.
Çfarë po ndodh rreth botës?
Të rejat e orëve të fundit rreth koronavirusit tregojnë se:
-Numri i personave të vdekur në Shtetet e Bashkura ka tejkaluar shifrën 5,000.
- Çmimi global i naftës është rritur pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se pret që Arabia Saudite dhe Rusia të arrijnë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së tyre me çmimet
-Kryeministri izraelit, Benjamin Nentayahu u ka bërë thirrje njerëzve që të vendosin maska kur të dalin në publik. Ai ka thënë se festivalet fetare mund të festohen vetëm me anëtarë të familjes.
-Organizatat e grave në Amerikën Latine kanë thënë se janë duke u përballur me dhunë ndaj grave përgjatë izolimit.
-Miliona sirianë që jetojnë në kampe refugjatësh në Lindje të Mesme po bëhen gati për përballje me pandeminë. Distancimi fizik duket se do të jetë vështirë i zbatueshëm në kampet e stërmbushura me njerëz.
Trump diskuton ndikimin e koronavirusit në industrinë e naftës
Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se do të takohet me zyrtarë të lartë të kompanive amerikane të naftës në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit në punën e tyre.
Industria e naftës është prekur keq, pasi kërkesa për energji ka rënë në mënyrë paralele me kufizimet në lëvizje të vendosura nga qeveritë, me qëllim të kontrollimit të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Një mosmarrëveshje në mes të Rusisë dhe Arabisë Saudite rreth sasisë së prodhimit, po ashtu ka qenë faktor në ulje të çmimit të naftës.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump nuk ka specifikuar se cilat kompani do të jenë prezente në takim.
Megjithatë, ai ka komentuar mospajtimet në mes të Arabisë Saudite dhe Rusisë, duke thënë se të dyja shtetet janë të fokusuar në bisedime dhe se beson që do të tejkalojnë dallimet e tyre.
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Trumpit, Robert O'Brien, po ashtu ka folur gjatë konferencës, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “do të punojnë me prodhuesit më të mëdhenj të naftës për të adresuar jostabilitetin në tregjet globale të naftës”.
Japonia ndan dy maska për secilën familje
Japonia duket se është impresionuar nga plani qeveritar për të shpërndarë dy maska për secilën familje në këtë shtet.
Pak pas bërjes së këtij njoftimit, në Twitter është kthyer në trend fjala #Twomasks (Dy maska).
“Çfarë nëse jeni familje me më shumë se dy persona?”, kanë pyetur disa. Të tjerë kanë krahasuar këtë veprim me atë të shteteve tjera që u kanë dhënë para të gatshme banorëve.
Numri i rasteve të konfirmuara në kryeqytetin japonez, Tokio është trefishuar në 10 ditët e fundit dhe aktualisht ka shqetësime se numri mund të vazhdojë të rritet pavarësisht masave strikte të lëvizjes.
Aktualisht, në këtë shtet është raportuar për 2,384 raste të infektimit dhe 57 vdekje nga koronavirusi, bazuar në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.