Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
11:21 2.4.2020

Ligjet në fuqi pengojnë pezullimin e përkohshëm të të burgosurve në Kosovë

Frika nga përhapja e koronavirusit nëpër burgje, ka detyruar autoritetet në shtete të ndryshme të botës, të lirojnë një numër të të burgosurve, edhe pse në disa raste, me masa të ndryshme kufizimesh.

Autoritetet e Kosovës nuk bëjnë përjashtim, të paktën në raport me planet e veprimit, në rast se paraqiten raste të COVID-19 nëpër qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha për Radion Evropa e Lirë, se ajo personalisht është në favor të një vendimi të mundshëm, që të burgosurit të lirohen përkohësisht nga burgjet. Megjithatë, ajo thotë se një vendim i këtillë, u takon gjykatave.

Po, çka nëse ligjet nuk parashohin situata të këtilla?

Detajet i kuptoni duke klikuar këtu

 

11:06 2.4.2020

Foshnja pesëmuajshe infektohet me koronavirus në Kamenicë

Një foshnje pesëmuajshe është prekur nga koronavirusi në Kamenicë, ka thënë infektologu Valbon Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se foshnja po qëndron në shtëpi, dhe se ka dalë pozitive në mesin e 11 personave të testuar të mërkurën nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

‘’Në listën e personave të prekur me COVID-19, që kemi pranuar dje në klinikë, në mesin e 11 personave ka qenë edhe një foshnje pesë muajshe’’, ka thënë Krasniqi.

Ai po ashtu ka thënë se gjendja shëndetësore e pacientëve është e mirë, dhe se vetëm njëri nga ta është shtrirë në Klinikën infektive.

Deri më tani në Kosovë është raportuar për 125 persona të prekur dhe një të vdekur me koronavirus.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

 

10:42 2.4.2020

QKUK: Një paciente me koronavirus vazhdon të jetë në gjendje të rëndë

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është bërë e ditur se tetë pacientë me koronavirus janë në trajtim me oksigjenoterapi, ndërkaq një paciente, është në kujdes intensiv pasi është në gjendje të rëndë.

Deri më tani në Klinikën infektive janë të shtruar 44 të prekur me COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi dhe shumica prej tyre janë në gjendje stabile.

QKUK-ja ka thënë po ashtu se katër infermiere që janë prekur me COVID-19 janë në gjendje të mirë shëndetësore, tri prej tyre janë të hospitalizuara ndërkaq njëra është e vetizoluar në shtëpi.

Deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 125 raste me koronavirus, një pacient ka vdekur dhe dhjetë janë shëruar.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

 

10:19 2.4.2020

Shkencëtarët australianë nisin testimin e vaksinave potenciale për koronavirus

Shkencëtarët në Australi kanë nisur testimin e dy vaksinave potenciale për koronavirus, pasi vaksinat e krijuara nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania amerikane, Inovio Pharmaceutical, janë konsideruar të sigurta për testim në kafshë nga Organizata Botërore e Shëndetesisë.

Agjencia kombëtare për shkencë e Australisë do të përcaktojë nëse funksionojnë vaksinat, dhe nëse ato të jenë të sigurta për njerëz.

Testimi i parë në njerëz i një vaksine është realizuar në Shtetet e Bashkuara një muaj më parë, duke u kaluar faza e testimit në kafshë.

Aktualisht janë duke u zhvilluar një varg vaksinash tjera në gjithë botën me një shpejtësi të jashtëzakonshme.

Mirëpo Agjencia australiane ka thënë se testimet do të jenë provat e para gjithpërfshirëse të vaksinave në modelin e kafshëve.

Studiuesit kanë thënë se shpejtësia dhe niveli i bashkëpunimit global, që ka rezultuar me këtë fazë, ka qenë i pashembullt.

“Normalisht duhet një deri në dy vjet për të arritur në këtë pikë dhe ne e kemi shkurtuar atë periudhë në disa muaj”, ka thënë mjeku Rob Grenfell nga kjo agjenci.

Rezultatet e para të testimeve nga kafshët mund të publikohen në fillim të muajit qershor, kanë thënë shkencëtarët.

Nëse dalin të suksesshme, vaksinat mund të barten nëpër klinika tjera për testime.

Megjithatë ekspertët paralajmërojnë se do të duhen të paktën 18 muaj që ndonjë vaksinë potenciale të jetë e gatshme për përdorim në njerëz, bazuar në rregulloret për testim dhe standarde.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG