Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:21 2.4.2020

Ndikimi i izolimit në marrëdhëniet shoqërore

Në kohën e përhapjes së COVID-19 – sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri – psikologët thonë se distanca fizike, që kërkohet të mbahet për të parandaluar përhapjen e virusit, nuk duhet të shndërrohet në distancë emocionale me të afërmit.

Sipas psikologëve, në këtë kohë, do të shpërfaqet raporti i vërtetë që kanë pjesëtarët e shoqërisë me familjet e tyre.

Për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë psikologjike gjatë izolimit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se Klinika Universitare për Psikiatri, ka vënë në dispozicion disa linja telefonike, ku qytetarët mund të thërrasin nëse ju duhet ndihma e psikologëve dhe psikiatërve.

Artikullin e plotë mund ta lexoni KËTU

19:51 2.4.2020

Gjermania do të lejojë hyrjen e punëtorëve sezonalë

Gjermania do të lejojë që punëtorët e huaj të hyjnë për të ndihmuar në korrjen e frutave dhe perimeve në ferma, njoftoi qeveria gjermane.

Ministria gjermane e bujqësisë njoftoi se ata kanë arritur një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme për të lejuar hyrjen për 40,000 punëtorë sezonalë në prill dhe 40,000 të tjerë në maj.

"Punëtorët duhet të mbërrijnë me aeroplan dhe jo me autobus për të mbrojtur veten nga kërcënimi i koronavirusit", tha ministria e Bujqësisë në një deklaratë.

Sipas kushteve të vendosura, punëtorët sezonalë, duhet të bëjnë një ekzaminim mjekësor dhe të mbajnë distancën nga njëri-tjetri gjatë punës.
Shumë shtete anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, po zbatojnë kontrolle kufitare për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Fermerët gjermanë dhe përpunuesit e frutave kanë paralajmëruar se masa të tilla mund të parandalojnë hyrjen e mijëra punëtorë sezonalë nga Evropa, por edhe në rritjen e çmimeve.

Shumica e punëtorëve sezonalë janë nga Polonia, Rumania dhe Bullgaria.

Në fillim të javës, Komisioni Evropian gjithashtu u kërkoi anëtarëve të BE-së që të lejojnë hyrjen e qindra mijëra punëtorëve sezonalë, pavarësisht masave për të parandaluar përhapjen e virusit.

19:12 2.4.2020

Çfarë po bëjnë shtetet mirë dhe keq në luftim të koronavirusit?

Numri i personave të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, po i afrohet shifrës 1 milion, ndërkohë që më shumë se 43,000 persona kanë vdekur. Krijimi i një vaksine mund të marrë muaj, nëse jo edhe vite. Dhe ende nuk ka rregullore që tregon se si shtetet duhet të përgjigjen ndaj kësaj krize.

Megjithatë, në kohën e sfidës së pashembullt me pandeminë e koronavirusit, shtetet janë duke bërë çfarë po munden për të ndalur, apo të paktën për të ngadalësuar shpejtësinë e sëmundjes.

Artikullin e plotë mund ta lexoni KËTU

19:00 2.4.2020

Meka dhe Medina në izolim të plotë

Arabia Saudite ka shpallur një shtetrrethimi 24-orësh në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Kufizimet e shtrënguara vijnë në një kohë të pasigurisë nëse haxhi vjetor në Mekë dhe Medinë - do të mbahet në korrik dhe gusht. 

Ngjarja zakonisht tërheq më shumë se dy milion muslimanë nga e gjithë bota.
Arabia Saudite ka shkallën më të lartë të infeksioneve koronavirus në rajonin e Gjirit, me 1.885 raste të konfirmuara dhe 21 vdekje nga sëmundja deri më tani.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG