Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
21:48 2.4.2020

Mbi 1 milion të infektuar në botë

Numri i rasteve të infektuar me koronavirusin e ri në botë ka kaluar një milion, sipas raportit të Universitetit Johns Hopkins në SHBA.

Më shumë se 200,000 nga ata që ishin infektuar janë shëruar, por më shumë se 50,000 kanë vdekur.

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

21:38 2.4.2020

BB: Rreth dy miliadë dollarë ndihmë 

Njëzet e pesë vende në botë do të marrin afërsisht 2 miliard dollarë nga Banka Botërore. 

 

"Vendet në të gjithë rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, si në pjesë të tjera të botës, po përballen me një urgjencë shëndetësore që ka pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, të cilat nuk i mbajmë mend së fundmi", tha Cyril Muller, zëvendës president i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

"Banka Botërore po i përgjigjet të gjitha instrumenteve dhe burimeve financiare që janë në dispozicion për t'i ndihmuar vendet në përpjekjet e tyre për të lehtësuar ndikimin e pandemisë në jetën e njerëzve", tha ai. 

21:04 2.4.2020

Franca me kontrolle kufitare deri në muajin tetor 

Autoritetet franceze kanë njoftuar Komisionin Evropian se ata do të vazhdojnë të kontrollojnë kufijtë e tyre deri më 30 tetor për shkak të një "kërcënimi terrorist" dhe një pandemisë së koronavirusit, thanë burime pranë Komisionit Evropian.

Komisioni pranoi një njoftim nga Franca, e cila vendosi kontrolle në kufijtë e saj që nga sulmet terroriste në atë vend, më 13 nëntor 2015.

Që atëherë, Franca ka zgjatur periudhën e saj të kontrollit çdo gjashtë muaj, që përndryshe është një largim nga rregullat e lirisë së lëvizjes së Shengenit.

Përveç kërcënimit të vazhdueshëm të terrorizmit, Franca këtë herë citoi edhe arsyet sanitare të lidhura me pandeminë e koronavirusit.

Një numër prej 13 vendeve në Bashkimin Evropian, si dhe Zvicra dhe Norvegjia, gjithashtu anëtare të zonës Schengen, kanë rikthyer kontrollet kufitare për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

 

20:29 2.4.2020

Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 760 vdekje në Itali 

Italia ka njoftuar se shkalla e infeksioneve të reja është ulur pak, me 3.1% krahasuar me 3.8% një ditë më parë. 

Por, numri i vdekjeve është rritur sërish. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 760 raste ndërkaq më 1 prill u raportuan 727 raste. 

Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 13, 915 që shënon edhe numrin më të lartë nga çdo vend tjetër në botë. 

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG