Dy ligjvënëse bullgare janë infektuar me koronavirusin e ri.
Kryetarja e grupit parlamentar të partisë së qendrës së djathtë në pushtet GERB, Daniela Daritkova dhe një anëtare tjetër e partisë, Daniela Maleshkova, u konfirmuan më 2 prill se kishin COVID-19.
Testet pozitive u raportuan një ditë pasi të gjithë ligjvënësit bullgarë u udhëzuan të bëjnë testime pasi një deputet rezultoi pozitiv me COVID-19.
Hasan Ademov, një anëtar i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë (MRF), doli pozitiv për COVID-19, tha kryetarja e Asamblesë Kombëtare Tsveta Karayancheva, më 31 mars.
Pavarësisht nga tre rastet, Asambleja Kombëtare me 240 anëtarë është planifikuar të mblidhet më 3 prill, për të diskutuar një projektligj të buxhetit të shtetit, të propozuar nga qeveria.
Amerikanët këshillohen të vendosin maskat mbrojtëse
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të enjten, dukej e vendosur t’iu bashkohej zyrtarëve lokalë, në këshillimin e amerikanëve të vishnin maska kur dilnin jashtë si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.
Numri i të vdekurve në SHBA u rrit me 1.000 gjatë një dite të vetme, shifër kjo që nuk ishte shënuar më herët.
Duke folur në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, Deborah Birx, një anëtare e Grupit Punues për luftimin e koronavirusit - i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump - tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) do të shtonin në ditët e ardhshme një rekomandim për vendosjen e maskave në udhëzimet për masat mbrojtëse.
Por, Birx tha se të gjithë amerikanët, që u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi, nuk duhet të krijojnë një "ndenjë të rreme të sigurisë" se ata do të mbrohen plotësisht nga sëmundja duke vendosur maskat.
Presidenti Trump, tha se vetëm "nëse njerëzit duan t'i veshin ato, ata munden".
Që nga e enjtja në mbrëmje, numri i të vdekurve nga SHBA nga COVID-19 - sëmundja e frymëmarrjes e shkaktuar nga koronavirusi - ishte 5,887, me më shumë se 243,000 raste të infeksioneve në të 50 shtetet.
Rastet globale të të infektuarve tejkaluan shifrën 1 million, me më shumë se 52,000 vdekje.
Bahtiri dhe Rakiq u kërkuan qytetarëve të zbatojnë masat kundër pandemisë
Kryetarët e komunave të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut, Agim Bahtiri dhe Goran Rakiq, si dhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor, Michele Risi, u kërkuan të gjithë qytetarëve të Mitrovicës që të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë rregullat e autoriteteve në lidhje me masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Të enjten mbrëma ata mbajtën një konferencë për media, në urën kryesore të lumit Ibër, që ndan Mitrovicën në pjesët jugore dhe atë veriore.
Lajmi i plotë KËTU
Sonte, asnjë rast me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se sonte nuk ka pasur asnjë rast pozitiv në testimin e dytë për COVID-19.
“Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare më 02.04.2020, janë testuar 118 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe Klinikën e Pulmologjisë dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren”, thuhet në njoftim.
“Rasti pozitiv i testuar pasdite është rast kontakti me vendbanim në Korishë Prizren. Do të hulumtohen të gjitha kontaktet dhe të testohen”, ka njoftuar Instituti.
Nga data 8 shkurt në Kosovë janë konfirmuar 126 raste me koronavirusin e ri. Deri më tani është shënuar vetëm një vdekje.