Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
12:31 3.4.2020

Serbia dhe Hungaria sytë kah Kina, në kohën e pandemisë

Një ish i dërguari me ndikim i Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Ballkan, Carl Bildt, ka folur me shqetësim për sinjalet politike që po dërgon Serbia në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Në një intervistë të gjerë dhënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë më 30 mars, ish-ministri i Jashtëm suedez pranoi se ka pasur një dështim të Evropës karshi pandemisë së COVID-19, por paralajmëroi se mbështetja e liderëve serbë në "kartën e Kinës" mund të dëshmohet si "kundërproduktive”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni KËTU

12:11 3.4.2020

Spanja raporton për 932 vdekje të reja

Në Spanjë gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 932 vdekje nga koronavirusi, tregojnë të dhënat zyrtare, raporton BBC. Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 10,935.

Pas Italisë, Spanja është vendi i dytë në botë me më së shumti vdekje të shkaktuara nga koronavirusi i ri.

11:58 3.4.2020

Kriza e pandemisë mund t'i shtyjë shumë biznese drejt dështimit, vlerëson Banka Qendrore e Kosovës

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon "bashkëpunim ndërkombëtar" në luftën kundër pandemisë koronavirus.

Rezoluta e miratuar më 2 prill ishte dokumenti i parë i miratuar nga organizata me 193 vende anëtare për pandeminë që e ka përfshirë botën.

Rezoluta thekson rolin qendror të OKB-së në krizën globale shëndetësore dhe ekonomike dhe i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, të udhëheqë mobilizimin dhe koordinimin e një përgjigje globale ndaj pandemisë.

Rezoluta u paraqit nga Zvicra, Indonezia, Singapori, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Gana dhe u miratua me shumicë dërrmuese.

Një rezolutë rivale e paraqitur nga Rusia përmbante gjithashtu bashkëpunimin dhe nevojën për solidaritet përballë sfidave të paraqitura nga koronavirusi i ri, por ajo përfshinte një kërkesë për heqjen e përgjithshme të sanksioneve ndërkombëtare dhe një fund të luftërave tregtare.

Drafti rus kishte mbështetjen e katër vendeve - Republikës Qendrore të Afrikës, Kubës, Nikaraguas dhe Venezuelës - por diplomatët e cituar nga AP thanë se Bashkimi Evropian, Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kundërshtuan propozimin rus.

Rezolutat e miratuara nga Asambleja e Përgjithshme nuk janë detyruese, por kanë një fuqi politike në varësi të mbështetjes së tyre.

10:52 3.4.2020

Mali i Zi raporton për shifrat e reja të të infektuarve

Në Mal të Zi janë shënuar 16 raste të reja me koronavirus. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 160 persona.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Boban Mugosha, tha se shumica e numrit të përgjithshëm të të infektuarve ishin rezultat i mosrespektimit të masave dhe rekomandimeve të përcaktuara.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG