Konfirmohen edhe 27 raste të reja me koronavirus në Shqipëri
Në Shqipëri janë konfirmuar 27 raste të reja të prekur me COVID-19, duke e çuar numrin në 304. Ndërkaq, numri i viktimave ka arritur në 16.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se vendi ka hyrë në “zonën e zjarrit dhe armiku po synon të marrë më shumë jetë”.
Ai përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe të mos mendojnë se po i vjen fundi situatës së krijuar nga koronavirusi.
“Sot ju lutem me të gjithë forcën ta vendosni si kryefjalë të çdo dite në vijim moton jetike të luftës sonë: ekonomia bie dhe ngrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen më”, shkruan Rama.
HRW i bën thirrje Turqisë të lirojë edhe të burgosurit politikë si masë kundër pandemisë
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, i bëri thirrje qeverisë së Turqisë, që në projektligjin e saj për të liruar dhjetëra mijëra të burgosur, si masë sigurie kundër shpërthimit të koronavirusit, të përfshijë edhe të burgosurit politikë.
Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) paraqiti një projektligj në parlamentin turk, për të liruar 90,000 të burgosur nga burgjet e mbipopulluara të vendit për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Projektligji ka të bëjë me disa kategori të burgosurish, mes tyre gratë shtatzëna dhe të moshuarit me shëndet jo të mirë, raporton AFP.
Por, masa nuk do të vlejë për vrasësit, dhunuesit seksual dhe kriminelët e narkotikëve, si dhe të burgosurit politikë, të akuzuar sipas ligjeve kontroverse të Turqisë kundër terrorizmit.
"Kur merrni masa për të mbrojtur të burgosurit nga virusi COVID-19, ata që janë në rrezik më të madh nuk duhet të lihen jashtë vëmendjes", tha Hugh Williamson, drejtor i Evropës dhe Azisë Qendrore në Human Rights Watch.
Parlamenti i vendit është planifikuar të votojë për projektligjin javën e ardhshme.
Turqia nisi një goditje të gjerë, pas një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016. Me dhjetëra mijëra persona u burgosën për lidhje me militantët e jashtëligjshëm kurdë, ose lëvizjen e udhëhequr nga predikuesi mysliman me qendër në SHBA, Fethullah Gulen.
Qeveria fajëson Gulenin për orkestrimin e grusht shtetit- një pretendim që ai e ka mohuar.
Kancelarja Merkel del nga karantina
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë fund karantinës së saj dhe u kthye në zyre të premten, tha një zëdhënës i saj.
Merkel është testuar disa herë për koronavirusin e ri por ka rezultuar negative.
Ajo ishte vetë-karantinuar dhe po punonte nga shtëpia, pasi më 20 mars, mori një vaksinë nga një mjek, i cili më vonë u zbulua se kishte koronavirus.
Numri i të infektuarve në Gjermani ka arritur në 79, 696, me 1,017 vdekje, njoftoi më 3 prill, Instituti për Sëmundje Infektive Robert Koch.
Si i prek koronavirusi fëmijët?
Kur duhet të testohet një fëmijë për koronavirus? Çfarë duhet të bëjnë prindërit për t’i mbrojtur fëmijët? Si i prek koronavirusi gratë shtatzëna? Për të gjitha këto flet mjeku Barun Mathema nga Universiteti Kolumbia i Nju Jorkut.