Italia ka shenja të përmirësimit të situatës me koronavirus
Italia ka parë të premten disa shenja të përmirësimit të situatës me koronavirus, edhe pse numri i viktimave nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, është rritur për 766, përkatësisht në 14,681.
Në të dhënat e reja të publikuara nga Shërbimi i Mbrojtjes Civile, numri i të infektuarve të rinj brenda një dite ka rënë për 4 për qind.
Numri i të shëruarve, ndërkaq, është rritur për 17.3 për qind, përkatësisht në 19,758, gjatë 48 orëve të kaluara.
Lombardia, rajoni i goditur më së keqi në Itali, ka regjistruar një rritje të vogël të pacientëve në kujdes intensiv.
“Shifrat po përmirësohen. Spitalet kanë nisur të marrin frymë”, tha zyrtari kryesor mjekësor i Lombardisë, Giuli Gallera.
Koronavirusi, megjithatë, ka dëmtuar rëndë kapacitetet spitalore të Italisë dhe ka goditur keq ekonominë e këtij vendi.
Italia ka qenë vendi i parë evropian që ka mbyllur gjithçka, përveç farmacive dhe dyqaneve ushqimore, më 12 mars.
Mbyllja dhe ndalimi i tubimeve publike do të jenë në fuqi deri më 13 prill.
Italia ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë, ndërsa është e dyta me numrin e të infektuarve, pas Shteteve të Bashkuara.
Mungesa e maskave dhe manteleve po vë në rrezik jetën e mjekëve
Infermierët dhe mjekët që po përballen me pacientët e infektuar me koronavirus, kanë nevojë për doreza, maska, mantele dhe mburoja të fytyrës për t’u mbrojtur nga infektimi. Por, mungesa globale e pajisjeve për mbrojtje për punëtorët shëndetësorë është një rrezik i madh.
Rohani: Sanksionet s’e pengojnë Iranin në luftën kundër koronavirusit
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se sanksionet e Shtetetve të Bashkuara nuk i kanë dëmtuar kapacitetet e këtij vendi në luftën kundër koronavirusit.
“Nuk jemi përballur me asnjë problem sa i përket unitetit, menaxhimit të mirë dhe stafit profesional mjekësor”, tha Rohani gjatë një takimi të kabintetit të tij qeveritar.
“Irani nuk ka asnjë problem sa i përket sigurimit të monedhës së huaj deri në fund të vitit [iranian]”, shtoi ai.
Sanksionet e Shteteve të Bashkuara ia kanë ndërprerë Iranit të ardhurat nga nafta dhe ia kanë shkatërruar ekonominë.
“Kemi rezerva të mjaftueshme të mallrave thelbësore për muajt e ardhshëm. Ministrat e Bujqësisë dhe Tregtisë kanë dhënë raporte shumë premtuese për situatën gjatë muajve të ardhshëm”, tha Rohani.
Komentet e tij vijnë në kohën e thirrjeve të shtuara të zyrtarëve iranianë, por edhe të disa vendeve të tjera për të lehtësuar sanksionet kundër Republikës Islamike, e cila po përballet me një shpërthim të madh të koronavirusit.
Sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ka vrarë zyrtarisht afro 3,300 iranianë.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, tha në një postim në Twitter se komentet e Rohanit e konfirmojnë qëndrimin e Uashingtonit, se sanksionet nuk e pengojnë Iranin në luftën kundër koronavirusit.
SHBA-ja ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike kundër Iranit prejse është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore me të, në maj të vitit 2018.
Merkel u kërkon gjermanëve të qëndrojnë në shtëpi gjatë Pashkëve
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje gjermanëve që të qëndrojnë në shtëpi gjatë Festës së Pashkëve, e cila i bie në mes të këtij muaji.
Gjermania ka ndaluar tubimin e më shumë se dy njerëzve në publik, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Shkolla, restorantet dhe baret janë mbyllur po ashtu.
Këto masa do të aplikohen së paku deri më 19 prill dhe do të rishikohen pas Pashkëve.
Merkel, duke folur në video-mesazhin e parë të saj pas përfundimit të dy javëve në vetizolim, tha se këto do të jenë “Pashkë shumë ndryshe”.
Gjermania ka afro 90,000 njerëz të prekur me koronavirus.