Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
09:45 4.4.2020

Edhe tre të infektuar me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKPSHK) ka bërë të ditur se ka regjistuar edhe tre raste pozitive me koronavirus.

“Rastet pozitive janë raste kontakti. Prej 93 të testuarve, tre janë pozitivë në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në komunikatën e IKPSHK-së, të lëshuar më 4 prill.

Me këtë shifër, numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë shkon në 135.

Nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, në Kosovë janë shëruar 16 persona, ndërsa ka vdekur një.

09:24 4.4.2020

Kina përkujton viktimat e koronavirusit

Kina i përkujtoi të shtunën viktimat e koronavirusit me tre minuta heshtje.

Mbi 3,300 njerëz kanë vdekur atje si pasojë e sëmundjes COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi.

Në orën 10:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale, njerëzit ndaluan për tre minuta, në nderim të të vdekurve.

Makinat, trenat dhe anijet i lëshuan më pas sirenat e tyre, ndërsa flamujt u ulën në gjysmështizë.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në qytetin Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar.

Që atëherë, virusi është përhapur në gjithë botën, duke infektuar mbi një milion njerëz dhe duke varë afro 59,000.

08:45 4.4.2020

SHBA-ja shënon 24-orëshin më të keq të viktimave

Shtetet e Bashkuara regjistruan 24-orëshin më të keq në botë të viktimave nga koronavirusi.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 1,480 njerëz vdiqën në periudhën 24-orëshe që përfundoi mbrëmjen e 3 prillit.

Numri i përgjithshëm i viktimave të koronovarisut në SHBA tani është 7,406.

Shteti i goditur më së keqi është Nju Jorku.

Guvernatori Andrew Cuomo tha se 562 njerëz kanë vdekur atje brenda 24 orësh.

Kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio, tha se zyrtarët atje janë në “garë kundër kohës, për t’u përgatitur për më të keqen në ditët e ardhshme”.

“Kemi të bëjmë me një armik që po vret mijëra amerikanë”, tha ai, duke përsëritur thirrjen e tij për qeverinë federale që të mobilizojë ushtrinë amerikane.

Në gjithë botën, koronavirusi që shkakton sëmundjen COVID-19, ka vrarë afro 59,000 njerëz, ndërsa ka prekur mbi 1 milion.

22:21 3.4.2020

Guterres apelon për armëpushim global, për të luftuar koronavirusin

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për armëpushim global, në mënyrë që t’iu lejohet vendeve të shkatërruara nga luftërat, të luftojnë pandeminë e koronavirusit.

“Më e keqja nuk ka ardhur ende”, tha Guterres, duke iu referuar vendeve në luftë: Sirisë, Libisë e Jemenit.

“Stuhia e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi] po shkon në të gjitha teatrot e konfliktit”, tha Guterres.

Ai tha se ka pasur ca përparim pas thirrjeve të tij për paqe më 23 mars, por shtoi se luftimet vazhdojnë në disa vende.

Antonio Guterres
Antonio Guterres

"Nevoja është urgjente. Virusi ka treguar se sa shpejt mund të lëvizë përtej kufijve”, tha Guterres në një konferencë për media të OKB-së.

Ai tha se palët e përfshira në konflikte në një numër vendesh, përfshirë Kamerunin, Republikën e Afrikës Qendrore, Kolumbinë, Libinë, Mianmarin, Filipinet, Sudanin Jugor, Sudanin, Sirinë, Ukrainën dhe Jemenin, kanë shprehur mbështetje për thirrjet e tij.

Por, ka dallim të madh midis deklaratave dhe veprave, tha Guterres.

"Në shumë prej situatave më kritike, nuk kemi parë zvogëlim të luftimeve. Disa konflikte, madje, janë intensifikuar”, tha ai.

COVID-19 ka vrarë mbi 58,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa ka prekur mbi një milion.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG