Pse larja e duarve mund të shpëtojë jetë?
Një nga gjërat më të mira dhe më të thjeshta për t'u mbrojtur nga koronavirusi është larja e duarve. Mjekët këshillojnë që ato të lahen me sapun dhe ujë të ngrohtë në mënyrë që të largohet infeksioni.
Mitrovica e Veriut dhe Zveçani futen në karantinë
Komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, nga ora 18:00 e së premtes, janë futur në karantinë, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili tha se vendimi është marrë nga shtabi i krizës.
Karantina do të thotë se asnjë qytetar nuk do të lejohet të dalë e as të hyjë në këto hapësira, tha Rakiq.
Ai tha se ndalesa nuk vlen për nevojat mjekësore, prodhimin dhe furnizimin me ushqime dhe barna.
Përjashtim bëjnë edhe ata që ofrojnë shërbime që lidhen me pandeminë e koronavirusit, tha Rakiq.
Në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan janë 16 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa priten rezultatet edhe për rreth 120 të tjerë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Zlatan Elek, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se të premten janë testuar persona me simptoma, personat që kanë pasur kontakte me të infektuar dhe stafi mjekësor.
Ligji për paga: Mjekët nuk duan ndihma, por rritje pagash
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor, 2020.
Kjo nënkupton se zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat me rritje sipas Ligjit të pagave, i cili ishte miratuar gjatë vitit 2019. Në këtë kategori hyn edhe stafi shëndetësor.
Mjekët specialistë në institucione publike shëndetësore në Kosovë kanë një pagë mujore prej rreth 600 eurosh. Ndërkaq, infermierët paguhen me nga rreth 400 euro në muaj.
Për shkak të ballafaqimit me pandeminë e koronavirusit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë nga 300 euro si ndihmë për mjekët dhe infermierët për dy muaj.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Edhe gjashtë të infektuar me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKPSHK) tha të premten se ka konfirmuar edhe gjashtë raste pozitive në testet për koronavirus.
Përmes një komunikate për media, IKPSHK-ja njoftoi se në total janë testuar 105 mostra.
“Rastet pozitive janë raste kontakti, katër prej të cilave janë me vendbanim në Llugagji - Pejë, një me vendbanim në Pejë dhe një e karantinuar”, thuhet në komunikatë.
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 132.
IKPSHK-ja po ashtu bëri të ditur se të premten janë shëruar gjashtë pacientë nga koronavirusi, të cilët e çojnë në 16 numrin e të shëruarve deri më sot.
Nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, në Kosovë ka vdekur një person.