Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:57 4.4.2020

Britania mund t’i lehtësojë masat e izolimit nga fundi i majit

Një shkencëtar që këshillon Qeverinë britanike në lidhje me krizën që ka shkaktuar koronavirusi, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mund t’i lehtësojë disa masa të izolimit nga fundi i majit.

Mbretëria e Bashkuar është izoluar nga data 23 mars, duke i mbyllur shkollat, restorantet dhe shumë dyqane.

Njerëzit rekomandohen të dalin jashtë vetëm për gjëra thelbësore ose ushtrime.

“Duam të lëvizim drejt situatës, ku, së paku në fund të majit, do të jemi në gjendje të vendosim disa masa më pak intensive, të bazuara më shumë në teknologji dhe testim”, ka thënë epidemiologu Neil Ferguson.

Nëse numri i rasteve të të infektuarve fillon të bie shpejt, “ne do të jemi në gjendje të lëvizim kah një regjim që nuk do të jetë jetë normale, por diçka më relaksuese në aspektin e distancimit shoqëror dhe të ekonomisë”, ka thënë Ferguson në një intervistë për BBC-në.

Mbretëria e Bashkuar ka mbi 38,000 njerëz të infektuar me koronavirus, ndërsa 3,605 pacientë atje kanë humbur jetën.

Në mesin e të infektuarve është edhe kryeministri britanik, Boris Johnson.

10:35 4.4.2020

Varlehyi: BE-ja nuk po bën garë me ndihmat për Ballkanin

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk është në garë me asnjë vend tjetër kur bëhet fjalë për ndihmën që e dërgon në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 15 mars, ka kritikuar hapur Bashkimin Evropian, duke thënë se Kina "mund të na ndihmojë në këtë situatë të vështirë", pas përhapjes së koronavirusit.

Disa ditë më vonë, një aeroplan me ndihma mjekësore kineze dhe një ekip këshillues mjekësor kanë ateruar në aeroportin e Beogradit.

Më 2 prill, Vuçiq ka konfirmuar se ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe se një “ndihmë e rendësishme” po vjen në Serbi.

I pyetur nëse Kina dhe Rusia ishin më të shpejta në ofrimin e ndihmës për disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Partneritetit Lindor, komisionari Varhelyi ka thënë se BE-ja ka qenë e shpejtë në ofrimin e ndihmës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

10:24 4.4.2020

Trump: Vendosja e maskave është çështje vullneti

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u bëjnë thirrje të gjithë amerikanëve që të vendosin maska kur dalin nga shtëpitë – si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Trump, megjithatë, tha se rekomandimi është çështje vullnetare dhe se ai vetë nuk do ta vendosë maskën.

“Maskat do të jenë një gjë vullnetare. Mund t’i vendosni. Nuk do të thotë se duhet ta bëni. Unë zgjedh të mos e bëj. Mund të jetë një gjë e mirë. Është vetëm rekomandim, me vullnet”, tha Trump.

“Të vendos maskë derisa takoj presidentë, kryeministra, diktatorë, mbretër, mbretëresha – nuk e di. Disi, nuk e shoh për veten time”, tha Trump, edhe pse ka ndaluar të takojë zyrtarë të huaj disa javë më parë.

Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Udhëzimi nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, erdhi pasi SHBA-ja raportoi për mbi 1,400 të vdekur nga koronavirusi, vetëm brenda një dite.

Shtetet e Bashkuara deri më tash kanë mbi 278,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 7,000 viktima.

Shteti i Nju Jorkut mbetet zona e goditur më së keqi dhe guvernatori Andrew Cuomo ka kërkuar ndihmë nga pjesët e tjera të SHBA-së.

09:59 4.4.2020

Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG