Larja e duarve është rekomandimi më i shpeshtë për mbrojtje nga koronavirusi:
Ishujt Falkland raportojnë rastin e parë me koronavirus
Rasti i parë me koronavirus është raportuar në Ishujt Falkland – një territor i largët britanik.
Ushtari që ka dalë pozitiv, është në gjendje stabile në spital, ka thënë komandanti i forcave britanike, Nick Sawyer.
Gjashtë mjekë të ushtrisë britanike tashmë janë dërguar atje me furnizime shtesë të ilaçeve, oksigjen dhe pajisje mbrojtëse personale.
Banorët në Ishujt Falkland, tash e sa javë, kanë ndjekur të njëjtat masa të distancimit fizik si pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar ka afro 39,000 njerëz të infektuar me koronavirus.
Ky vend është izoluar nga data 23 mars, duke i mbyllur shkollat, restorantet dhe shumë dyqane.
Këngëtarja Pink ka koronavirus
Këngëtarja amerikane Pink tha se ka dalë pozitive në testin për koronavirus dhe se tani do të dhurojë një milion dollarë për dy fonde emergjente.
Pink, fituese e çmimeve Grammy, tha se ajo dhe djali i saj Jameson kanë shfaqur simptoma dy javë më parë dhe se testi ka treguar se ajo është e sëmurë.
“Ne duhet ta bëjmë testimin pa pagesë dhe ta zgjerojmë më shumë, për të mbrojtur fëmijët tanë, miqtë dhe komunitetet tona”, tha Pink.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në botë: 278,458.
Mbi 7,000 njerëz atje kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Si i prek koronavirusi fëmijët?
Kur duhet të testohet një fëmijë për koronavirus? Çfarë duhet të bëjnë prindërit për t’i mbrojtur fëmijët? Si i prek koronavirusi gratë shtatzëna? Për të gjitha këto flet mjeku Barun Mathema nga Universiteti Kolumbia i Nju Jorkut: