Nga karantina në Qendrën e Studentëve lirohen 33 persona
Gjatë ditës së premte, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka bërë testimin e 36 personave, të cilët ishin futur në karantinë në Qendrën e Studentëve më datën 19 mars 2020. Prej tyre, 35 kanë rezultuar negativ në Covid-19, ka njoftuar drjetori i Departamenti për Informim i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, përmes një shkrimi në Facebook.
Ai ka shtuar se një person ka rezultuar pozitiv dhe i njëjti është dërguar në Klinikën Infektive, së bashku me personin që ka qëndruar në dhomë gjatë kohës së karantinimit, kurse 1 tjetër (edhe pse ka rezultuar negativ në Covid-19) është dërguar në QKUK për shkak të problemeve shëndetësore të natyrës ortopedike.
“Grupi prej 33 personave janë liruar sot të shkojnë në shtëpi, dhe janë të rekomanduar që t’u përmbahen kushteve të izolimit shtëpiak edhe për dy javë”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, gjatë ditës së sotme pritet të testohen edhe 91 persona të tjerë, të cilët janë në Qendrën e Studentëve.
Spanja, e para në Evropë me numër të të infektuarve
Spanja ka tejkaluar Italinë me numrin e të infektuarve me koronavirus.
Autoritetet atje kanë thënë të shtunën se numri i të infektuarve ka arritur në 124,736.
Italia, që deri më tash ka qenë epiqendër e shpërthimit të koronavirusit në Evropë, ka 119,827 të infektuar.
Italia, ndërkaq, ka numrin më të madh të viktimave në botë: 14,681.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, pritet të zgjasë izolimin e këtij vendi deri më 26 prill, raporton gazeta spanjolle El Pais.
Spanjollët janë të izoluar që tri javë.
Ata mund të dalin nga shtëpitë vetëm për blerjen e gjërave thelbësore ose për nevoja mjekësore.
Rënie e lehtë e numrit të të infektuarve në Gjermani
Rastet e konfirmuara me koronavirus në Gjermani janë rritur për 6,082 – përkatësisht në 85,778 – gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas të dhënave të Institutit Robert Koch të Qeverisë gjermane, shifra paraqet një rënie të lehtë krahasuar me një ditë më parë, kur janë raportuar 6,174 raste.
Instituti tha se numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Gjermani ka arritur në 1,158, nga 1,017 sa ka qenë të premten.
Lothar Wieler, president i Institutit Robert Koch, ka thënë se numri i të infektuarve të rinj ka nisur të vihet nën kontroll, falë masave që i ndalojnë njerëzit të mblidhen në publik.
Të 16 landet e Gjermanisë kanë rënë dakord për frenimin e lëvizjes deri më 19 prill.
Në Mitrovicën e Veriut mbyllen dyqanet, në Zveçan ndalohet lëvizja
Komuna e Mitrovicës së Veriut është futur në karantinë nga ora 18:00 e së premtes.
Vendimin për këtë masë e ka sjellë Shtabi i Krizës për luftimin e koronavirusit në këtë komunë të veriut të Kosovës.
Po ashtu është vendosur që dyqanet në këtë komunë të mbyllen nga ora 13:00 e së shtunës deri të hënën në 05:00 të mëngjesit.
Vendimi i Shtabit të Krizës për karantinë përfshin edhe Mëhallën e Boshnjakëve, vendbanimin multietnik në veri të Mitrovicës.
Banorët atje e kundërshtojnë ndalimin e shkuarjes për furnzime në jug të Mitrovicës.
Për dallim nga Mitrovica e Veriut, Shtabi i Krizave i komunës së Zveçanit – po ashtu komunë në veri të Kosovës – ka ndaluar lëvizjen e të gjithë qytetarëve nga ora 13:00 e së shtunës deri në 05:00 të mëngjesit të hënën.
Kjo masë, nga sot, është në fuqi edhe në Serbi.
Përndryshe, ndalimi i lëvizjes në kuadër të masave të Qeverisë së Kosovës është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.
Deri të premten, 16 njerëz kanë qenë të infektuar me koronavirus në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan.