Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
00:25 5.4.2020

Dalin rezultatet e 95 personave të vendosur në Qendrën e Studentëve

Zëvendësministri në detyrë i Shëndetësisë, Izet Sadiku ka bërë të ditur se rezultatet për 95 personat e vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve, të cilët janë testuar për COVID-19, kanë dalē negative.

Sadiku ka thënë se këta persona pritet të lirohet më 5 prill nga karantina.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 140. Gjithashtu, më 4 prill janë shëruar edhe shtatë pacientë që kanë qenë të infektuar me koronavirusin e ri. Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 23.

21:51 4.4.2020

Shkon në 23 numri i të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe pesë raste të të infektuarve me koronavirus në Kosovë.

Gjithashtu, më 4 prill janë shëruar edhe shtatë pacientë që kanë qenë të infektuar me koronavirusin e ri.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 23.

 

21:01 4.4.2020

Shënohet rënia e numrit të pacientëve me kujdes intensiv në Itali

Numri i pacientëve në kujdes intensiv në Itali ka rënë për herë të parë, thotë kreu i departamentit të mbrojtjes civile të vendit, Angelo Borrelli.

Italia konfirmoi 681 vdekje të tjera të shtunën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 15,362.

Por, Borrelli tha se numri i pacientëve me gjendje kritike ka rënë nga 4,068 sa ishte të premten në 3,994, të shtunën.

"Kjo është një pikë shumë e rëndësishme për shkak se shifra është duke u zvogëluar për herë të parë", tha Borrelli.

"Është e rëndësishme sepse kjo lejon që spitalet tona të marrin frymë. Kjo është hera e parë që kjo shifër ka rënë që nga fillimi i menaxhimit të urgjencës", tha ai.

Numri i rasteve të regjistruara si të infektuar më 4 prill ka qenë 2,886.

 

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 88.2274 në total. Kjo shifër nuk përfshijnë ata që kanë vdekur ose 20,996 personat për të cilët është thënë se janë shëruar nga virusi.

20:26 4.4.2020

IKSHPK: Tre javët e ardhshme, kritike në luftën kundër pandemisë

Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka thënë se tri javët e ardhshme janë kritike të shpërthimit të rasteve me COVID-19.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, të mbajnë higjinenën personale dhe t’iu përmbahen rekomandimeve të institucioneve të Kosovës.

Ramadani tha se qytetarët duhet të mbajnë distancë fizike prej dy metra në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e virusit.

“Apeloj që këto tri javë mos të tubohen, të qëndrojnë në shtëpi sepse do të kalojë sa më lehtë që është e mundur nëse i përmbahen rekomandimeve të Institutit të Shëndetësisë”, tha Ramadani. 

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media në Prishtinë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është 135.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG