Ambasada amerikane: Duke lënë anash ndasitë mes komuniteteve, e mposhtim COVID-19
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka përgëzuar ato që i ka konsideruar si përpjekje të vazhdueshme të profesionistëve shëndetësorë dhe pjesëtarëve tjerë të shoqërisë që po punojnë në parandalimin e përhapjes së sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Megjithatë, kjo ambasadë ka theksuar se sëmundja mposhtet duke lënë anash ndasitë mes komuniteteve, dhe duke ndjekur udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë.
Deri më tani në Kosovë është raportuar për 140 persona të infektuar dhe një të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Aktualisht Kosova drejtohet nga një qeveri në detyrë, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar mocionin e mobesimit ndaj qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimeve që ka zhvilluar me liderë të partive politike në Kosovë, i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.
Tre muaj burg shtëpiak për lojtarin serb që shkeli orën policore
Futbollisti serb, Aleksandar Prijoviq është urdhëruar nga Gjykata e Beogradit që të kalojë tre muaj në shtëpi, pasi është arrestuar për shkelje të kufizimeve të vëna nga shteti me qëllim të luftimit të koronavirusit.
Prijoviq, 29-vjeçar, që aktualisht është pjesë e ekipit të Arabisë Saudite, Al Ittihad, është lojtari i dytë serb që shkel rregulloret shtetërore, pas lojtarit tjetër Luka Joviq.
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi, shkelja e masave të ashpra për të parandaluar përhapjen e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, mund të ndëshohet me tre vjet burgim.
Drejtori i Policisë Kombëtare, Vlladimir Rebiq i ka thënë televizionit shtetëror të Serbisë se Prijoviq është arrestuar më 3 prill “bashkë me disa persona tjerë”.
Më vonë është raportuar se 19 persona të tjerë janë arrestuar përveç lojtarit në restorantin e një hoteli në Beograd.
Serbia deri më tani ka raportuar për 1,624 persona të infektuar dhe 44 tjerë të vdekur si pasojë e koronavirusit të ri.
Maqedoni e V: Arrin në 555 numri i të infektuarve me COVID-19
Maqedonia e Veriut ka regjistruar numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus që nga paraqitja e sëmundjes, COVID-19 në këtë shtet.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 72 raste të reja me këtë sëmundje, ndërkohë që dy persona kanë ndërruar jetë, një 56 vjeçar nga Kumanova dhe një tjetër i moshës 63-vjeçare nga Llabunishta e Strugës.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, tani numri i të infektuarve ka arritur në 555 ndërsa i të vdekurve në 18, thuajse të gjithë të moshës mbi 60 vjeç, të cilët kanë vuajtur edhe nga sëmundje tjera kronike.
Gjendja më e rëndë paraqitet në Shkup me 235 të infektuar dhe Kumanova me 114 e cila që nga e premtja është në izolim prej 56 orësh, apo deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit.
Spanja shënon sërish rënie të numrit të të vdekurve
Numri i personave të vdekur brenda një dite në Spanjë ka rënë për të tretën ditë me radhë, në 674.
Numri total i të vdekurve në këtë shtet tani është 12,418, ndërkohë që ka arritur në 130,759 numri i të infektuarve.
Pasi ka tejkaluar edhe Italinë me numrin e të infektuarve të shtunën, të dhënat e reja japin shpresë se ky shtet është duke kaluar pikun e shpërthimit.
Numri i të vdekurve sot është më i vogli në 10 ditë, dhe është hera e parë prej 26 marsit që më pak se 700 persona kanë vdekur brenda 24 orëve.
Megjithatë, normalizimi i situatës në Spanjë është larg.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez ka zgjatur masën e izolimit edhe për tre javë tjera, deri më 26 prill, duke thënë se masat e reja synojnë “të shpëtojnë jetë”.