Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:42 5.4.2020

Konfirmohen edhe pesë raste me COVID-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe pesë raste të reja me koronavirusin e ri në Kosovë.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, tre (3) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, një (1) me vendbanim në Gjakovë, një (1) me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Në Kosovë, deri më tash janë të konfirmuara 145 raste me Covid-19, përfshirë këtu 1 vdekje dhe 23 të shëruar. Nga radhët e komunitetit serb, janë regjistruar 26 raste, përfshirë 1 vdekje, por nuk ka të dhëna mbi të shëruarit. Komuniteti serb në Kosovë rastet e infektimit i raporton te strukturat e shëndetësisë në Serbi.

18:33 5.4.2020

Bie numri i rasteve të reja me koronavirus në Nju Jork 

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo thotë se numri i përditshëm i vdekjeve dhe personave që kërkojnë trajtim spitalor për shkak të koronavirusit është "duke rënë për herë të parë".

Por, në konferencën e tij për media, ai paralajmëron se është shumë herët të dimë se çfarë do të thotë kjo e dhënë.

Cuomo thotë se numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi në Nju Jork tani është 122.031, pas një rritje prej 8,327 rastesh.

Numri i rasteve të reja të vdekjeve është 594 duke e ngritur numrin e përgjithshëm në 4,159 vdekje, thotë ai.

Ai paralajmëron gjithashtu se është shumë herët të dihet nëse kurba do të pasohet nga një rënie e shpejtë në raste ose një rënie e ngadaltë.

18:16 5.4.2020

Sveçla bisedon me banorët e Zveçanit dhe Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë 

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka vizituar Mitrovicën dhe disa fshatra të komunës së Zveçanit.

Sipas një komunikate të ministrisë së Punëve të Brendshme, Sveçla i ka siguruar banorët për përkrahjen e të gjitha institucioneve të Kosovës, me qëllim të tejkalimit sa më të lehtë të situatës së krijuar, pas përhapjes së virusit COVID- 19 në pjesën veriore të vendit.

Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ai së bashku kryetarin e komunës Agim Bahiti, kanë vizituar edhe pjesën veriore të qytetit, respektivisht Lagjen e Boshnjakëve, “ku kanë parë për së afërmi situatën në të cilën gjenden banorët e kësaj lagjeje”.

Në njoftim thuhet se biseda me kryetarin e komunës së Mitrovicës është zhvilluar dy ditë pasi “ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për vendosjen në karantinë të Komunës veriore dhe Zveçanit, si pasojë e rritjes së rasteve me Covid-19 në atë pjesë”.

Në Kosovë, deri më tash janë të konfirmuara 140 raste me Covid-19, përfshirë këtu 1 vdekje dhe 23 të shëruar. Nga radhët e komunitetit serb, janë regjistruar 26 raste, përfshirë 1 vdekje, por nuk ka të dhëna mbi të shëruarit. Komuniteti serb në Kosovë rastet e infektimit i raporton te strukturat e shëndetësisë në Serbi.

17:54 5.4.2020

Në kohën e pandemisë, mendoni si t'i lehtësoni vuajtjet e tjetrit, thotë Papa.

Papa Françesku bëri thirrje të dielën për guxim përballë pandemisë së koronavirusit, që ka marrë më shumë se 65,000 jetë në të gjithë globin, në vetëm tre muaj.

Papa Françesku kryesoi fillimin e festimeve të javës së Pashkëve.

Ai u bëri thirrje njerëzve të mos shqetësohen aq shumë me atë që u mungon, por se si mund të lehtësojnë vuajtjet e të tjerëve.

Festimet e Pashkëve në selinë e Kishës Katolike Romake janë mbyllur për publikun përballë pandemisë COVID-19 që ka infektuar më shumë se 1.2 milion ë njerëz, duke vrarë të paktën 65,000 në mbarë botën.

Papa Françes, kishte thënë javën e kaluar, se festimet e një prej ngjarjeve më të shenjta të krishterimit do të kryheshin "në një mënyrë vërtet të pazakontë".

Selia e Shenjtë, ka raportuar për shtatë raste të konfirmuara me koronavirus, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Papa Françesku
Papa Françesku

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG