Demokratët në SHBA mund ta mbajnë konventën online, thotë Biden
Ish nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Partia Demokratike mbase do të detyrohet të zhvillojë konventën e saj në mënyrë “virtuale” për shkak të shqetësimeve për koronavirusin.
Konventa e Partisë Demokratike ku nominohet kandidati i saj për zgjedhjet presidenciale në SHBA-së, pritet të mbahen në muajin gusht.
Ajo ishte planifikuar për muajin korrik, por situata me pandeminë detyroi zyrtarët e partisë, ta shtyjnë atë për një muaj.
“Mund të mos jemi në gjendje të vendosim 10, 20, 30,000 njerëz në një vend", tha Biden në programin "Kjo javë" të ABC.
Biden dhe rivali i tij, senatori Bernie Sanders e kanë pezulluar fushatën.
Pas një serie fitoresh në mars, Biden ka një epërsi në numrin e delegatëve të nevojshëm për të siguruar emërimin e partisë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Nga Partia Republikane për rizgjedhje garon presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Çekia ndihmon Francën në trajtimin e pacientëve
Kryeministri çek, Andrej Babis, tha se vendi i tij do të trajtojë gjashtë pacientë me Covid-19 nga Franca.
Në një postim në mediat sociale, Babis tha se ata do të trajtohen në një spital universitar në qytetin Brno.
"Franca na është drejtuar me një kërkesë për ndihmë të pacientëve të saj", tha Babis.
"Falë kapacitetit të mjaftueshëm ne mund t'i trajtojmë ata", tha ai.
Çekia ka regjistruar 4.543 raste me Covid-19 dhe 67 vdekje.
Teatri Kombëtar i Kosovës transmeton shfaqjet online
Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar me transmetimin e shfaqjeve teatrale në faqen zyrtare në Facebook. Kjo, për shkak të situatës së pandemisë. Institucionet shëndetësore iu kanë bërë thirrje qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë në mënyrë që të ndihmojnë në parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit të ri. Por, adhuruesit e teatrit nuk do ta ndjejnë mungesën e shfaqjeve gjatë kësaj kohë të izolimit.
“Në pamundësi për të qenë bashkë me ju çdo mbrëmje në sallën e teatrit, ne do të sjellim teatrin nëpër shtëpitë tuaja”, thuhet në faqen e teatrit në Facebook.
Italia shënon rënie të numrit të viktimave
Italia ka raportuar numrin më të ulët të vdekjeve, brenda një dite nga koronavirusi, që nga 19 marsi.
Kreu i Mbrojtjes Civile në Itali tha se 525 njerëz kanë vdekur brenda 24 orëve.
Ai shtoi se ka pasur gjithashtu një rënie të numrit të personave në spital ose që kërkojnë kujdes intensiv.
Pothuajse 129,000 njerëz janë infektuar që nga shpërthimi i pandemisë në Itali dhe gjithsej 15.887 kanë vdekur.