Një tigër në Nju Jork infektohet me koronavirus
Një tigër në një kopsht zoologjik të Nju Jorkut ka dalë pozitiv në testin për koronavirus.
Besohet se ky është rasti i parë i një kafshe të infektuar në Shtetet e Bashkuara.
Tigri mund ta ketë marrë virusin nga një punonjës në kopshtin zoologjik, i cili ka qenë i infektuar, por nuk ka treguar simptoma, thanë zyrtarë të kopshtit.
Gjashtë tigra dhe luanë të tjerë gjithashtu janë sëmurë, por rezultatet e testeve të tyre nuk kanë dalë ende.
Kopshti zoologjik vendosi të testonte kafshët për koronavirus, pasi tigrat dhe luanët treguan shenja të sëmundjes, duke përfshirë kollë të thatë, vështirësi në frymëmarrje dhe humbje të oreksit.
Jane Rooney, veterinere dhe zyrtare e Departamentit të Bujqësisë në SHBA, tha se nuk ka ende prova se sëmundja mund të transmetohet nga kafsha në njeri.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA nuk rekomandon testimin e kafshëve, por thotë se njerëzit duhet t’i kufizojnë kontaktet me kafshë dhe t’i lajnë duart pasi t’i prekin.
Nju Jorku është rajoni më i goditur nga koronavirusi në SHBA, me mbi 100,000 njerëz të infektuar.
Kryeministri britanik dërgohet në spital për shkak të simptomave të virusit
Kryeministri britanik, Boris Johnson, është dërguar në spital për të kryer analiza, 10 ditë pasi doli të jetë infektuar me koronavirus, ka njoftuar zyra e tij.
Ai "vazhdon të ketë simptoma të vazhdueshme të koronavirusit duke përfshirë temperaturë të lartë", tha një zëdhënëse.
"Me këshillën e mjekut të tij, kryeministri sot është pranuar në spital për analiza", tha zëdhënësja.
Ajo shtoi se "kryeministri falënderon stafin e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit për punën e tyre të jashtëzakonshme dhe e nxit publikun që të vazhdojë të ndjekë këshillat e qeverisë për të qëndruar në shtëpi".
Kryeministri Johnson ka punuar nga shtëpia, pasi u njoftua më 27 mars se ai ishte infektuar me koronavisurin e ri.
Universiteti i Prishtinës lanson faqen në internet me këshilla psiko-edukuese
Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka prezantuar një faqe në internet e cila do të përmbajë disa materiale psiko-edukuese, që mund të shërbejnë si lehtësuese të distresit psikologjik, që mund të përjetojnë qytetarët gjatë pandemisë COVID-19 apo për shkaqe të tjera.
“Për momentin faqja është e konceptuar në tre seanca. Seanca e parë adreson stresin, seanca e dytë ankthin dhe e treta mendimet brengosëse. Seancat në të vërtetë janë video informuese ose video, që sugjerojnë, se çka duhet dhe mund të bëni për këto gjendje psikologjike”, thuhet në faqen e internetit të këtij departamenti.
Linkun e faqes mund ta gjeni këtu.
"Ne do të kemi sukses", thotë Mbretëresha Elizabeth II në fjalimin drejtuar kombit
Sfida e luftimit të koronavirusit është e ndryshme nga vështirësitë e tjera me të cilat jemi përballur më parë, ka thënë Mbretëresha britanike Elizabeth II.
Adresimi i saj drejtuar kombit, u bë përmes transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv.
"Këtë herë ne bashkohemi në një përpjekje të përbashkët me të gjitha kombet në të gjithë globin, duke përdorur përparimet e mëdha të shkencës dhe dhembshurinë tonë instiktive për të shëruar", tha ajo.
"Ne do të kemi sukses - dhe se suksesi do t'i takojë secilit prej nesh”, tha Mbretëresha Elizabeth.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar, më 5 prill, është rritur për 621 persona, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 4,934.
Mbretëreshë theksoi vlerën e vetë-disiplinës dhe vendosmërisë - duke thënë se ajo shpreson që, në të ardhmen, të gjithë "të jenë në gjendje të krenohen me mënyrën se si iu përgjigjën kësaj sfide"
Ajo tha se ky adresim i kujtonte asaj transmetimin e saj të parë, të bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore me motrën e saj, Princeshën Margaret.
Ajo theksoi se "do të kemi sukses" në trajtimin e koronavirusit, dhe - duke iu referuar këngës së Vera Lynn gjatë kohës së luftës - siguroi kombin që "do të takohemi përsëri".