Edhe dy të vdekur nga koronavirusi në Kosovë
Dy pacientë të prekur nga koronavirusi kanë vdekur të hënën në Kosovë.
Lajmi është bërë i ditur nga Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Sot, me datë 06.04.2020, në Klinikën Infektive të QKUK-së, dy pacientë me COVID -19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] kanë përfunduar me vdekje”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.
Sipas tij, të dy pacientët kanë pasur sëmundje shoqëruese.
Me shifrat e sotme, numri i viktimave nga koronavirusi në Kosovë shkon në tre.
Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.
Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 27 persona, ndërsa një ka vdekur.
Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.
Guterres kritikon “rritjen e tmerrshme” të dhunës në familje
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje qeverive që të veprojnë kundër, siç tha, “rritjes së tmerrshme globale të dhunës në familje”.
Disa shtete në botë kanë raportuar rritje të dhunës së tillë në javët e fundit, si pasojë e izolimeve që ka shkaktuar shpërthimi i koronavirusit.
Duke iu referuar thirrjes së tij të fundit për armëpushim në konflikte, Guterres tha se dhuna nuk ndodh gjithmonë në fushat e betejës.
“Për shumë gra dhe vajza, kërcënimi është më i madh atje ku duhet të jenë më të sigurta: në shtëpitë e tyre”, tha Guterres.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se, që nga shpërthimi i koronavirusit në fillim të vitit, abuzimet në familje janë dyfishuar në vendet si Libani dhe Malajzia, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Në Kinë, kjo shifër është trefishuar.
Guterres tha se abuzimi është rritur si pasojë e streseve ekonomike dhe sociale që ka sjellë situata e krijuar me koronavirus.
“Së bashku, ne mundemi dhe duhet ta parandalojmë dhunën kudo, nga zonat e luftës deri te shtëpitë e njerëzve”, tha Guterres.
Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, ka prekur mbi 1.2 milion njerëz në gjithë botën, ndërsa ka vrarë afro 70,000.
Për të frenuar përhapjen e tij, shumë vende janë izoluar, duke mbyllur apo zvogëluar aktivitetin e kompanive të prodhimit – gjë që ka nxitur shqetësime për situatën ekonomike.
Singapori fut në karantinë gati 20,000 punëtorë migrantë
Singapori u kërkoi gati 20,000 punëtorëve të huaj të qëndrojnë në konviktet e tyre për 14 ditë, pasi numri i të infektuarve me koronavirus në këtë qytet është duke u rritur.
Dy konvikte janë izoluar: njëri me 13,000 punëtorë dhe 63 raste dhe tjetri me 6,800 punëtorë dhe 28 raste.
Atje banojnë kryesisht burra nga Azia Jugore që punojnë në ndërtim.
Zyrtarët thanë se punëtorët do të paguhen dhe do të ushqehen.
Edhe pse Singapori është lavdëruar për përgjigjen ndaj koronavirusit, numri i rasteve të transmetuara është duke u rritur dhe izolimi i qytetit do të nisë të martën.
Aktualisht, ky qytet ka mbi 1,300 të infektuar me koronavirus.
Trump sheh “dritë në fund të tunelit”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sheh shpresë në luftën kundër koronavirusit.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se numri i viktimave në SHBA do të arrijë nivele “të tmerrshme” gjatë dy javëve të ardhshme, por shtoi se numri i njerëzve të infektuar është duke "u nivelizuar".
“Shohim dritë në fund të tunelit”, tha Trump. “Shohim që po ndodhin gjëra të mira”.
Të dielën, Nju Jorku, që është epiqendra e shpërthimit të sëmundjes në SHBA, raportoi rënie të numrit të të infektuarve të rinj dhe të viktimave.
Deborah Birx, koordinatore e task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin, tha se Spanja dhe Italia janë duke parë shenja pozitivë dhe se pret që edhe SHBA-ja ta ndjekë atë trajektore.
“Spanja dhe Italia na japin shpresë për atë se si mund të jetë e ardhmja jonë”, tha Birx.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 1.2 milion njerëz në gjithë botën.
Më shumë se një e katërta e tyre janë shëruar plotësisht nga sëmundja, ndërsa më shumë se 69,000 kanë vdekur.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve: mbi 337,000.
Atje kanë vdekur mbi 9,200 njerëz.