Austria mund të nisë lehtësimin e masave të izolimit nga 14 prilli
Austria mund të nisë lehtësimin e masave të izolimit nga java e ardhshme, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz, por kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë distancimin fizik, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
“Synimi është nga 14 prilli. Dyqanet e vogla deri në 400 metra katrorë mund të hapen sërish, nën kushte të rrepta të sigurisë natyrisht”, tha Kurz.
Ai shtoi se nëse plani i qeverisë shkon mirë, dyqanet më të mëdha do të rihapen nga një maji, ndërsa nga mesi i majit, shtoi Kurz, do të mund të rihapen edhe hotelet, restorantet dhe shërbimet e tjera.
Megjithatë, Kurz theksoi se kufizimet e lëvizjes që ka vënë Austria për frenimin e koronavirusit mbeten në fuqi dhe u bëri thirrje austriakëve që të mos i festojnë Pashkët jashtë shtëpive.
Festa e Pashkëve i bie në mes të prillit.
Kurz tha se shkollat do të mbeten të mbyllura deri në mes të majit, ndërsa ngjarjet publike do të jenë të ndaluara deri në fund të qershorit.
Austria, vend me 8.8 milionë njerëz, aktualisht ka 12,058 të infektuar me koronavirus, 204 viktima dhe 2,998 të shëruar.
Bie numri i viktimave nga koronavirusi në Spanjë
Numri ditor i viktimave të koronavirusit në Spanjë ka rënë për të katërtën ditë me radhë.
Qeveria spanjolle raportoi të hënën se në 24 orët e fundit kanë vdekur 637 persona, krahasuar me 674 viktima të raportuara në 24-orëshin paraprak.
Shifra e sotme e viktimave është më e ulëta qysh më 24 mars.
Numri ditor i viktimave në Spanjë ka shënuar kulmin prej 950, të enjten e kaluar.
Shifrat e sotme po ashtu flasin për 4,273 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Në Evropë, Spanja ka numrin më të madh të të infektuarve: 131,646, ndërsa për nga numri i viktimave është e dyta, me 12,641.
Me 15,887 viktima, Italia ka numrin më të lartë të tyre në botë.
Bllokohet kalimi nëpër sheshet e Prishtinës
Sheshet kryesore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, janë bllokuar për qarkullim nga Policia e Kosovës, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Sheshet “Skënderbe”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti” janë bllokuar me shirita, ndërsa disa rrugë të tjera që lidhen me to, janë bërë të pakalueshme.
Drejtusit e Komunës së Prishtinës thanë se një veprim i tillë është marrë pasi është vërejtur qarkullim më i madh i njerëzve në sheshe.
“Thirrjet për të mos dalë pa nevojë nuk po respektohen nga qytetarët. Aq më pak tash, që edhe moti po përmirësohet. Masat shtesë të sigurisë janë të domosdoshme. Në këtë fazë, sheshet nuk mund të përdoren si hapësira të shëtitjes”, tha kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një postim në rrjetin social Facebook.
“Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe institucionet e tjera relevante janë koordinuar dhe dakorduar për kufizimin e shëtitjeve nëpër sheshe”, shtoi ai.
Komuna e Prishtinës po ashtu paralajmëroi se nga data 7 prill nuk do të ofrohet asnjë shërbim për qytetarët, nëse nuk janë të pajisur me maska dhe doreza.
Mëngjesin e së hënës, Policia e Kosovës ka rrethuar edhe disa parqe pranë ndërtesave kolektive në Prishitnë.
Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.
Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 27 persona, ndërsa një ka vdekur.
Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.
Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Ndalimi i lëvizjes në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.
Vdes mjeku i parë që luftonte koronavirusin në Afganistan
Afganistani raportoi për vdekjen e mjekut të parë që ndodhej në vijën e frontit të luftës kundër koronavirusit.
Zëdhënësi i Ministrisë afgane të Shëndetësisë tha se mjeku punonte në një spital privat në Kabul dhe se 20 kolegët e tij do të testohen tani për koronavirus.
Mediat lokale e identifikuan mjekun si Hanifullah Hanif dhe thanë se ai ka vdekur të dielën.
Afganistani ka konfirmuar 367 raste me koronavirus, prej të cilave 10 kanë vdekur.
Provinca Herat, e cila kufizohet me Iranin, është goditur më së keqi.
Afganistani është ndër vendet më të varfra në botë, i shkatërruar nga lufta dhe me një sistem të dobët të shëndetit publik.