Oda Amerikane u kërkon autoriteteve shtim të dialogut me sektorin privat
Oda Amerikane në Kosovë u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës për shtim të dialgout mes sektorit publik dhe atij privat, në kohën kur shumë biznese kanë pezulluar aktivitetin e tyre, pas përhapjes së koronavirusit të ri.
Zyrtarët e Odës i kanë kërkuar Qeverisë në detyrë të Kosovës që të fuqizojë mekanizmat formalë për dialog, përfshirë këtu edhe Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik (KKZHE).
“Njëra ndër përgjegjësitë e KKZHE-së përfshin edhe fuqizimin e rolit të komunitetit të biznesit në procesin e zhvillimit ekonomik të vendit, prandaj duke pasur parasysh situatën e paprecedentë nëpër të cilën po kalojmë, është me rëndësi që ky Këshill të mund të japë kontributin e tij, me qëllim të zbutjes së ndikimit negativ dhe minimizimit të pasojave në sektorin privat dhe ekonominë në përgjithësi”, është mes tjerash në një komunikatë të Odës Amerikane.
Ditë më parë, kjo Odë bashkë me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshillin e Investitorëve Evropianë dhe Klubin e Prodhuesve të Kosovës, i kanë kërkuar Qeverisë në detyrë që të prezantojë pakon e masave emergjente që synojnë të ofrojnë mbështetje ndaj ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga pandemia me koronavirus.
Sipas këtyre institucioneve, autoritetet përgjegjëse duhet të ndajnë së paku 300 milionë euro për këtë fazë, me qëllim të mbështetjes së sektorit privat.
Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.
Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 27 persona, ndërsa një ka vdekur.
Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.
Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.
Bllokohen sheshet e Prishtinës
Sheshet kryesore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, janë bllokuar për qarkullim nga Policia e Kosovës, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Sheshet “Skënderbe”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti” janë bllokuar me shirita, ndërsa disa rrugë të tjera që lidhen me to, janë bërë të pakalueshme. Drejtuesit e Komunës së Prishtinës thanë se një veprim i tillë është marrë pasi është vërejtur qarkullim më i madh i njerëzve në sheshe.
Arrin në 21 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoni të Veriut
Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar për tre viktima të reja nga koronavirusi. Dy personat që kanë vdekur janë dy nga Tetova të moshës 65 dhe 69 vjeç dhe një 40-vjeçar nga qyteti i Koçanit.
Viktimat, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, vuanin edhe nga sëmundje tjera kronike. Me viktimat e ditës së hënë numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 21.
Numri i të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit është rritur me 15 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm ka arritur në 570. Më shumë raste të të infektuarve, gjithsej tetë janë regjistruar në Kumanovë, ndërsa në Shkup janë regjistruar katër. Në kryeqytet është numri më i madh i të infektuarve, ndërsa Kumanova mbetet qyteti i dytë me numrin më të madh me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Hollësitë tjera i gjeni këtu
Apostolova paralajmëron ndihmë në vlerë të 160 milionë eurove për Kosovën
Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se blloku evropian mund t’i ndajë Kosovës 160 milionë euro ndihmë në luftën kundër koronavirusit në 2 deri në 6 muajt e ardhshëm në mbështetje të sektorit privat, atij bujqësor dhe me qëllim të zbutjes së varfërisë.
Në një postim në llogarinë e saj në Twitter, Apostolova ka thënë se pasi ka biseduar me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, dhe ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, fondet mund të ndahen përmes asistencës makro-financiare, dhe granteve nga Instrumenti i Paraanëtarësimit (IPA).
Përndryshe, Bashkimi Evropian më herët ka ndarë 5 milionë euro tjera për Kosovën, në luftën e këtij shteti kundër koronavirusit.
Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.
Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 27 persona, ndërsa një ka vdekur.
Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.
Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.