Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
21:17 6.4.2020

Turqia shton kufizimet në lëvizje pas rritjes së numrit të të infektuarve

Autoritetet turke kanë vendosur masa të reja kufizuese me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, teksa numri i të infektuarve vazhdon të rritet shpejt.

Të dhënat e fundit tregojnë se ky shtet ka më shumë se 27,000 persona të infektuar dhe 574 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ky vend tani renditet si shteti i nëntë i prekur më keq nga ky virus.

Duke komentuar të dhënat e fundit në një postim në rrjetin social, Twitter, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, u ka bërë thirrje njerëzve “të qëndrojnë në shtëpi”, duke thënë se virusi “e merr fuqinë nga kontakti”.

Në gjithë Turqinë, 31 qytete tani janë mbyllur për gjithçka përveç trafikut të domosdoshëm, përderisa vendosja e maskave në fytyrë është kthyer në detyrim në transportin publik, në dyqane dhe hapësira tjera publike.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u ka kërkuar njerëzve që të mbajnë distancën fizike dhe të qëndrojnë “tre hapa” larg njëri-tjetrit.

Deri më tani shkollat janë mbyllur, janë pezulluar shumë fluturime ndërkombëtare dhe është ndaluar mbajtja e ceremonive fetare dhe publike.

Mirëpo kritikët – duke përfshirë mjekët edhe politikanët opozitarë – kanë thënë se duhet bërë më shumë.

Qeveria në këtë shtet ende nuk ka marrë masë për izolim të plotë sikurse shumë vende në Bashkimin Evropian.

Të dhënat tregojnë se në nivel global, Turqia po përballet me rritjen më të shpejtë të numrit të të infektuarve.

 

20:41 6.4.2020

Edhe 20 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka thënë se të hënën janë konfirmuar edhe 20 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, dy (2 ) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë”, është thënë në njoftim.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 165 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 24 pacientët që janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Ndalimi i lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.

20:28 6.4.2020

Shqiptari që ndihmon amerikanët në Nju Jork

Aleksandër Nilaj, themelues i një organizate joqeveritare në SHBA, bën shpërndarjen dhe dërgimin e qindra pakove ushqimore në Nju Jork për njerëzit që kanë mbetur pa para, si pasojë e krizës që ka shkaktuar sëmundja COVID-19.​

Shqiptari që ndihmon amerikanët në Nju Jork
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:01 0:00

 

19:49 6.4.2020

ASHAK: Partitë politike dhe institucionet të vetëpërmbahen deri në fund të pandemisë

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) i ka ftuar subjektet politike dhe institucionet të tejkalojnë përçarjet dhe situatën e krijuar politike në Kosovë gjatë kohës së pandemisë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Përmes një komunikate, ASHAK-u ka shfaqur, siç është thënë shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me situatën e krijuar pasi, “qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë vendosur nën një trysni të paparë të retorikave nxitëse, ndërkohë që subjektet politike dhe militantët e tyre nuk duan të zmbrapsen nga veprimet me prapavijë konflikti”.

ASHAK-u ka ftuar për tejkalimin e kësaj situate dhe kthimin “te vlerat e vërteta të mirëkuptimit dhe humanizmit.

“Në emër të këtyre vlerave, mbi të cilat kemi besuar gjithnjë se është ndërtuar shoqëria jonë, Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës për vetëpërmbajtje, së paku deri në fund të kësaj pandemie, duke u rezervuar me vullnet të mirë si nga retorika nxitëse opozitare, ashtu edhe nga vendimet institucionale, të cilat shkaktojnë përçarje dhe nxisin konflikt”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Përveç tjerash, Akademia ka bërë thirrje, që për shkak të situatës së krijuar, secili të tregojë gatishmëri për solidaritet dhe përbashkim, “duke vendosur mbi interesin pushtetar interesin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, për ta fituar betejën kundër pandemisë, duke refuzuar dhe duke anashkaluar të gjitha dallimet politike dhe etnike”.

Në komunikatë është thënë edhe se institucionet e Kosovës dhe njerëzit e vullnetit të mirë e kanë obligim që përkujdesjen dhe solidaritetin ta ushtrojë në çdo cep të Kosovës, përfshirë minoritetet dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Ndalimi i lëvizjes së njerëzve në kuadër të masave të qeverisë është në fuqi nga ora 17:00 deri në 06:00, çdo ditë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG