Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
11:00 7.4.2020

Kurti: Muaji prill, vendimtar për daljen nga kriza e pandemisë

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës, janë të përkushtuar maksimalisht me çështjen e pandemisë.

Kurti i bëri këto komente në një konferencë për media gjatë një vizite në komunën e Gjilanit.

"Jemi të përkushtuar me punë që ta ndalojmë hovin e koronavirusit. Puna edhe më madhe duhet të vazhdoj në muajin prill. Muaji prill është vendimtar për daljen nga kriza", tha Kurti.

Ai paralajmëroi se qeveria do të zhvillojë më 7 prill një mbledhje online ku do të diskutojë për masat tjera ndaj kësaj situate.

Më 23 mars, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk është në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin ta shpallë të pavlefshëm.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 165 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 24 pacientët që janë shëruar. Tre persona kanë vdekur.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

10:37 7.4.2020

Indonezia u kërkon myslimanëve të praktikojnë ritualet fetare në shtëpi

Indonezia u ka kërkuar myslimanëve të praktikojnë lutjet gjatë muajit të agjërimit, në shtëpi dhe të heqin dorë nga lutjet masive të festës së Bajramit në fund të Ramazanit.

Në Indonezi  rreth 85% e popullsisë apo më shumë se 260 milionë banorë janë myslimanë.

Gjatë muajit të Ramazanit, në agim, disa njerëz dalin në rrugë për të ofruar ushqime për të varfërit, dhe në muzg njerëzit e perfundojnë agjërimin së bashku në restorante ose xhami.

Në ditën e Bajramit, e cila bie në fund të majit, fushat e futbollit, parkingjet dhe rrugicat e lagjeve janë përdorur për lutje masive.

10:07 7.4.2020

QKUK: Dy pacientë në gjendje kritike

Klinika Infektive e Qendres Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se në repartin e saj janë të hospitalizuar 61 pacientë.

Sipas njoftimit të kësaj klinike, 47 raste janë me COVID-19, ndërkaq për 10 raste priten rezultatet e mostrave, kurse 4 kanë rezultuar negativ në COVID-19.

Nga këto raste, 41 pacientë janë me gjendje stabile ndërkaq, 4 raste kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Sipas njoftimit, dy pacientë ndodhen në mjekimin intensiv, dhe janë në gjendje të kritike.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 165 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 24 pacientët që janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

09:21 7.4.2020

Ministrat e financave të vendeve të BE-së diskutojnë për krizën e pandemisë

Ministrat e financave të BE-së, do të zhvillojnë një video konferencë më 7 prill, për të diskutuar një plan të shpëtimit ekonomik për vendet evropiane, të cilat janë goditur më rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Ministrat janë nën presion për të propozuar masa të mëtejshme fiskale në mënyrë që të luftohen ndikimet socio-ekonomike të epidemisë.

Sipas ministrit portugez të Financave, Mario Centeno, për disikutim në tryezë është një "rrjetë sigurie" me vlerë gjysmë trilioni euro.

Gjithashtu në diskutim përfshihete dhe një linjë kredie paraprake nga Mekanizmi Evropian i Stabilitetit, në rast se vendet kanë vështirësi në mbledhjen e fondeve për t'u marrë me pasojat nga pandemia.

Banka Qendrore Evropiane ka njoftuar tashmë një program prej 750 miliardë eurosh për të blerë borxhet e qeverive dhe kompanive, në të gjithë eurozonën, dhe për të lehtësuar ndikimin e shpërthimit të koronavirusit, ndërsa Komisioni Evropian ka relaksuar rregullat buxhetore.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG