Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:59 7.4.2020

Edhe një i vdekur nga koronavirusi në Kosovë

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se edhe një person ka vdekur nga koronavirusi i ri në Kosovë.  

“I.SH ( 1955), i transferuar nga Spitali i Përgjithëm në Ferizaj, ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe i njëjti, për shkak të arrestit kardiak, përkundër angazhimit maksimal nga stafi mjekësor, nuk ka arritur të mbijetoi. I njëjti ka rezultuar pozitiv në Covid-19 pasi iu bë testimi pas vdekjes", thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor.

Ky rast, e çon në 4 numrin e të vdekurve nga koronavirusi në Kosovë.

Ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se gjatë ditës së sotme, gjithsej pesë persona janë konfirmuar me koronavirus. 

Me këto të dhëna, numri i të infektuarve në Kosovë arrin në 170 ndërkaq i viktimave në 4.

Të shëruar janë regjistruar 24 pacientë. 

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi.

13:48 7.4.2020

Spanja shënon rritje të numrin të viktimave krahasuar me një ditë më parë

Spanja konfirmoi se 743 njerëz të tjerë kanë vdekur nga Covid-19 në 24 orët e kaluara.

Një ditë më herët, ky vend kishte raportuar për 637 vdekje. Numri i përgjithshëm i viktimave ka shkuar në 13,798.

Pas Shteteve të Bashkuara, Spanja është vendi me më së shumti të infektuar nga koronavirusi.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në Spanjë janë 140,510 raste të të infektuarve.

13:36 7.4.2020

Dita Botërore e Shëndetit shënohet përmes përkrahjes së grave në sektorin e shëndetësisë

Programi për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore i Kombeve të Bashkuara “UN Women” ka lansuar fushatën “Të mbështesim infermieret dhe mamitë.”

Përmes një njoftimi të zyrës së kësaj organizate në Prishtinë, bëhet e ditur se fushata është realizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Fondin për Popullatën të Kombeve të Bashkuara (UNFPA)

“Duke pasur parasysh situatën e pandemisë COVID-19 me të cilën po ballafaqohet e tërë bota, këtë vit Dita Botërore e Shëndetit ka për qëllim lartësimin e rolit jetësor të cilin e kanë punëtoret shëndetësore në luftën ndaj pandemisë”, thuhet në njoftim.

Fushata organizohet në tërë botë me rastin e 7 prillit, Ditës Botërore të Shëndetit.

“Në këtë kohë të pandemisë, mjekët, infermierët, mamitë dhe punëtorët e tjerë të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën po rrezikojnë mirëqenien e tyre për t'u kujdesur për të gjithë ne. Sot, në Ditën Botërore të Shëndetit ju falenderohemi atyre”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Anisa Bina nga Organizata “UN Women”, i tha Radios Evropa e Lirë, se fushata do të zgjasë një javë.

“Duke marrë parasysh situatën e pandemisë, dhe rregullat për të qëndruar në shtëpi, aktivitetet në kuadër të kësaj fushate vetëdijësuese do të jenë vetëm online”, tha ajo.

Në të gjithë botën, llogaritet se rreth 70 për qind e punonjësve të sektorit shëndetësor dhe shërbimeve sociale janë gra.

“Megjithatë ato paguhen 11 përqind më pak se burrat në profesione të njejta. Në Kosovë grate përbëjnë 65% të punëtorëve në sektorin shëndetësor. Shumë nga to janë në profesione që i vendosin në vijën e parë të përgjigjes ndaj COVID-19”, thotë organizata UN Women.

13:17 7.4.2020

Në shtëpi me fëmijë me nevoja të veçanta në kohë pandemie

Kur qeveria vendosi para më shumë se tre javësh që vendi të izolohej për ta ndalur shpërndarjen e COVID-19, Sara 17 vjeçare me autizëm, e kishte të vështirë ta kuptonte pse tash duhet të qëndrojë vetëm në shtëpi.

Nëna e saj, Violeta, thotë së në ditët e para e ka pasur shumë vështirë ta bind vajzën e saj se një kohë duhet të qëndrojnë pa dalur. Ajo thotë se kur vinte koha që Sara duhej të shkonte në shkollë ajo mbante këpucët në dorë.

Sarës i mungonte shkolla ku ajo cdo ditë zhvillon aktivitetet ditore.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu. 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG