Edhe pesë viktima nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar të martën edhe pesë viktima nga koronavirusi, që e çojnë në 26 numrin e përgjithshëm të të vdekurve me koronavirus në këtë vend.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë dy nga Kumanova, të moshës 52 dhe 53 vjeç, një 65-vjeçar nga Llabunishta e Strugës, një grua e moshës 62 vjeçe nga Tetova dhe një tjetër e moshës 82 vjeçe nga qyteti i Shtipit.
Sa u përket të të infektuarve, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 29 raste të reja: në Shkup 15, në Kumanovë 7, në Prilep 1, në Strugë 3 dhe në Koçan 3.
Numri i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 599.
Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se beson se sistemi shëndetësor i vendit do të arrijë të përballojë gjendjen me pandeminë, duke theksuar se shëndetësia dhe punonjësit shëndetësorë mbeten shtyllat kryesore në vend.
“E di që për momentin ju po mbani një ngarkesë të madhe. Lodhja po na arrin ngadalë të gjithëve, ndërsa na presin ditë akoma më të vështira përpara. Por, unë besoj se secili prej jush e di se sa e rëndësishme është të vazhdosh, të qëndrosh i përkushtuar, të përqendrohemi dhe të bëjmë çmos për të ndihmuar bashkëqytetarët tanë”, tha Filipçe, në një mesazh dërguar personelit shëndetësor, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetësisë.
Polonia planifikon mbajtjen e zgjedhjeve, pavarësisht pandemisë
Ligjvënësit polakë votuan për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në maj, ashtu siç ka qenë e planifikuar më herët, pavarësisht situatës që ka krijuar shpërthimi i koronavirusit.
Në përpjekjen e dytë, Partia qeverisëse për Ligj dhe Drejtësi ka arritur të marrë miratimin e Dhomës së Ulët të Parlamentit për zhvillimin e votimeve me postë.
Opozita druan se kjo mënyrë e votimit do t’i rrisë padrejtësisht mundësitë e presidentit Andrzej Duda për rizgjedhje.
Deri të hënën, Polonia ka pasur 4,413 të infektuar me koronavirus dhe 107 të vdekur.
Nën presidentin Duda, Polonia ka miratuar ndryshime të mëdha dhe të diskutueshme në shoqëri, përfshirë ligje të reja për media dhe gjyqësor.
Këto masa e kanë çuar atë edhe në përplasje me Bashkimin Evropian.
Udhëheqësit e opozitës thonë se Partia për Ligj dhe Drejtësi, e cila e mbështet presidentin Duda, përpiqet të sigurojë fitoren e tij, për të vazhduar me programin e saj.
Por, Partia për Ligji dhe Drejtësi i hedh poshtë kritikat, duke thënë se përpiqet të mbështesë procesin demokratik të zgjedhjeve.
Dhjetë foshnja në një spital të Rumanisë infektohen me koronavirus
Një njësi e maternitetit në qytetin Timisoara të Rumanisë është duke u hetuar, pasi dhjetë foshnja kanë dalë pozitive në testet për koronavirus.
Dyshohet se foshnjat e kanë marrë sëmundjen nga stafi mjekësor.
“Nënat kanë dalë negative, ndërsa foshnjat pozitive. Duhet t’i rishikojmë kontaktet e tyre me stafin mjekësor”, tha ministri rumun i Shëndetësisë, Nelu Tataru.
Foshnjat u tha se nuk kanë simptoma dhe se të gjitha, përveç njërës, janë lëshuar në shtëpi, së bashku me nënat e tyre.
Njësia e maternitetit në Timisoara është futur në karantinë më 31 mars, por është rihapur të nesërmen, me urdhër të Drejtorisë lokale të Shëndetit Publik.
Kjo e fundit ka vlerësuar atëbotë se “nuk ka rrezik të infektimit me koronavirus për pacientët apo mjekët”, edhe pse 13 anëtarë të stafit kanë qenë pozitivë.
Në Rumani, aktualisht janë mbi 4,400 të infektuar me koronavirus, ndërsa 180 pacientë kanë vdekur.
Rreth 700 prej të infektuarve janë punonjës shëndetësorë.
Kryeministri britanik, në gjendje stabile
Qeveria britanike njoftoi se kryeministri Boris Johnson është në gjendje stabile, pasi natën e kalaur është transferuar në kujdes intensiv.
Johnson është diagnostikuar me koronavirus më 27 mars.
Pasi ka kaluar më shumë se një javë në vetizolim në shtëpi, ai është shtruar në spital më 5 prill, për shkak të simptomave të vazhdueshme të sëmundjes.
Johnson është duke u trajtuar me oksigjen dhe merr frymë pa ndonjë ndihmë tjetër, tha zëdhënësi i tij.
Kryeministri nuk ka diagnozë të pneumonisë, shtoi ai.
Zyrtarë të Qeverisë britanike kanë thënë se Johnson vazhdon të mbetet në krye të ekzekutivit.
Të hënën, sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka kryesuar një takim të qeverisë për koronavirusin, në vend të Johnsonit.
Muajin e kaluar, zëdhënësi i Johnsonit ka thënë se nëse kryeministri nuk ndjehet mirë dhe nuk është në gjendje të punojë, Raab do t’i marrë përsipër detyrat e tij.