Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
16:44 7.4.2020

Parisi i ndalon ushtrimet jashtë gjatë ditës

Autoritetet në Paris i kanë ndaluar ushtrimet jashtë gjatë ditës, derisa vazhdojnë luftën kundër shpërthimit të koronavirusit.

Rregullat e reja do të vlejnë nga ora 10:00 deri në orën 19:00 dhe do të hyjnë në fuqi të mërkurën.

Në Evropë, Franca është në mesin e vendeve me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi.

Në total, 8,911 njerëz kanë vdekur atje, ndërsa numri i të infektuarve është afër 100,000.

Të martën, ministri i Shëndetësisë i Francës, Olivier Veran, tha se shpërthimi i koronavirusit nuk e ka arritur ende kulmin në këtë vend.

Paris
Paris

 

16:16 7.4.2020

Mbrojtja nga koronavirusi: Pse distancimi shoqëror është kaq i rëndësishëm?

 

15:58 7.4.2020

Paralajmërohen gjoba për ata që shkelin masat kundër koronavirusit në Kosovë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, paralajmëroi se personat që nuk i respektojnë rregullat dhe vendimet për parandalimin e koronavirusit do të gjobiten.

Duke u thirrur në nenin 53.1 të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, gjobat, sipas tij, do të jenë nga 1,000 deri në 2,000 euro për personat fizikë dhe nga 3,000 deri në 8,000 euro për personat juridikë.

"Sot kemi pranuar qarkoren informative nga niveli qendror, lidhur me gjobat për mosrespektim të urdhëresave dhe vendimeve në kuadër të masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit", tha Ahmeti përmes një postimi në Facebook.

Ai i ftoi qytetarët që t’i zbatojnë masat, duke shtuar se "kohë për vërejtje, diskutim e mirëkuptim, nuk ka".

Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, pak kohë pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, më 13 mars.

Në mesin e masave të ndërmarra, si mbyllja e shkollave dhe e restoranteve, është edhe ndalimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 17:00 deri në orën 06:00.

Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 170 raste me koronavirus.

Prej tyre, katër kanë vdekur, 24 janë shëruar.

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur.

Komuniteti serb i raporton rastet në Serbi.

 

15:35 7.4.2020

Dhjetë për qind e të infektuarve në Maqedoninë e V. janë punonjës shëndetësorë

Në Maqedoninë e Veriut, 10 për qind e të infektuarve me koronavirus nga numri i përgjthshëm janë pjesë e stafit mjekësor.

“Kam përdorur maskë, dorëza dhe mjete dezinfektuese në çdo kohë, por, megjithatë, nuk iu shmanga infektimit nga virusi”, rrëfen për Radion Evropa e Lirë mjeku nga Dibra, Arben Agolli.

Ai ishte ndër të parët që u infektua nga koronavirusi, bashkë me tri infermiere dhe një mjek që ishin pjesë e stafit të ambulancës në këtë qytet.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG