BE-ja do të ndajë 16 miliardë euro për luftën kundër koronavirusit
Bashkimi Evropian do të ndajë 15 miliardë euro për të ndihmuar vendet e varfra në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se me këto para do të ndihmohen vendet me sisteme të dobëta shëndetësore, për të trajtuar krizën që ka shkaktuar koronavirusi.
“Ne do ta fitojmë këtë luftë vetëm me përgjigje të koordinuar globale”, tha von der Leyen, në një video të postuar në Twitter.
“Kjo është arsyeja përse Bashkimi Evropian do të sigurojë edhe mbi 15 miliardë euro, për t’i ndihmuar partnerët në gjithë botën, për të luftuar koronavirusin”, tha von der Leyen.
Ajo nuk dha detaje se nga ku do të sigurohen paratë ose kush do të përfitojë nga to.
Por, më herët, zyrtarët evropianë e kanë veçuar Afrikën si shqetësim, për shkak të lidhjeve të saj me Evropën, por edhe për shkak të sistemit të dobët shëndetësor në shumë shtete të këtij kontinenti.
Evropa ka qenë epiqendër e koronavirusit në javët e fundit, por, javën e kaluar, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar se virusi “mund të dalë jashtë kontrollit shumë shpejt në Afrikë”.
Ministrat e BE-së do të takohen përmes një video-konference të mërkurën, për të diskutuar detajet e ndihmës financiare për vendet e cenueshme.
Shteti i Nju Jorkut shënon rekord viktimash brenda një dite
Shteti i Nju Jorkut ka regjistruar numrin më të lartë të viktimave nga koronavirusi në 24 orë, përkatësisht 731.
Lajmi u bë i ditur nga guvernatori Andrew Cuomo.
Ai tha se me shifrën e re, numri i viktimave nga koronavirusi në shtetin e Nju Jorkut shkon në 5,489.
Rekordi i mëparshëm ditor i viktimave në Nju Jork ka qenë 630, të premten e kaluar.
Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të të infektuarve në botë: mbi 368,500.
Macron do t’i drejtohet kombit për situatën me koronavirus
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do t’i adresohet kombit të enjten mbrëma, për të folur rreth situatës që ka krijuar shpërthimi i koronavirusit.
Njoftimi vjen një ditë pasi Franca ka raportuar për 833 viktima nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Ka qenë kjo shifra më e lartë brenda një dite në Francë, që nga shpërthimi i pandemisë.
Franca është në javën e katërt të izolimit dhe nuk ka shenja se autoritetet planifikojnë t’i lehtësojnë kufizimet së shpejti.
Shqiptari që ndihmon amerikanët në Nju Jork
Aleksandër Nilaj, themelues i një organizate joqeveritare në SHBA, bën shpërndarjen dhe dërgimin e qindra pakove ushqimore në Nju Jork për njerëzit që kanë mbetur pa para, si pasojë e krizës që ka shkaktuar sëmundja COVID-19.