Maska për të gjithë? Shumë shtete po i bëjnë të detyrueshme
Në shumë vende të botës janë bërë të detyrueshme maskat mbrojtëse të fytyrës në kohën e pandemisë së koronavirusit. Por, a duhet që qytetarët të blejnë maska profesionale apo mjaftojnë edhe ato më të thjeshtat?
Johnson do t’ia dalë, thotë zëvendësi i tij
Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, tha se është “i bindur” se kryeministri Boris Johnson do të shërohet nga koronavirusi.
Duke folur në një konferencë për media, Raab e përshkroi Johnsonin si “luftëtar” dhe tha se ai është duke marrë frymë pa ndihmë.
“Të gjitha mendimet dhe lutjet tona janë me kryeministrin në këtë kohë dhe me gjithë familjen e tij", tha Raab, i cili është duke e zëvendësuar Johnsonin.
“Jam i bindur se ai do t’ia dalë, sepse një gjë që di për kryeministrin është se ai është luftëtar. Dhe, ai do të kthehet në krye, për të na udhëhequr gjatë kësaj krize”, tha Raab.
Ai po ashtu tha se Johnson po merr trajtim standard me oksigjen.
Johnson është diagnostikuar me koronavirus më 27 mars.
Pasi ka kaluar më shumë se një javë në vetizolim në shtëpi, ai është shtruar në spital më 5 prill, për shkak të simptomave të vazhdueshme të sëmundjes, ndërsa të hënën mbrëma është transferuar në kujdes intensiv.
Mbretëresha britanike, Elizabeth II, i ka dërguar mesazh familjes dhe partneres së tij, duke thënë se ata janë në mendimet e saj.
Çekia zgjat gjendjen e jashtëzakonshme
Ligjvënësit çekë votuan për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 30 prill, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Qeveria kërkoi që gjendja e tillë të vazhdojë deri më 11 maj, por kjo dështoi, pasi 90 nga 101 ligjvënësit e pranishëm në parlament votuan për kohë më të shkurtër.
Gjendja e jashtëzakonshme i lejon qeverisë të ndërmarrë kufizime të ndryshme për luftimin e koronavirusit, ose të blejë materiale mjekësore pa shpallur tender.
“Unë nuk dua t’i kufizoj liritë as edhe një sekondë më shumë seç është e nevojshme. Për fat të keq, situata është serioze dhe nuk mund të premtoj se kjo do të jetë hera e fundit që unë do të dal këtu me këtë kërkesë”, tha kryeministri çek, Andrej Babis.
Çekia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme më 12 mars, fillimisht për 30 ditë.
Për çdo zgjatje të saj nevojitej miratimi nga parlamenti.
Çekia aktualisht ka afro 5,000 të infektuar me koronavirus, ndërsa 88 pacientë kanë humbur jetën.
“Pandemia politike” në veri të Kosovës
Gjatë kësaj kohe të pandemisë së koronavirusit të ri, komunat veriore të Kosovës po funksionojnë mbi bazën e një sistemi të përzier, që nënkupton se përfillin ligjet dhe vendimet e Kosovës, por edhe ato të Serbisë, thonë njohësit e zhvillimeve politike.
Një funksionim i tillë i katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe ka bërë që edhe në kohën e pandemisë, në Prishtinë të rikthehen debatet politike në lidhje me mungesën e shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në atë pjesë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.