Trump kritikon OBSH-në
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kritikoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke thënë se ajo, në kohën e pandemisë së koronavirusit, është e përqendruar shumë te Kina dhe jep “rekomandime të gabuara”.
“OBSH-ja vërtet ka gabuar”, shkroi Trump në Twitter.
“Për disa rsye, e financuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, ajo mbetet e përqendruar në Kinë. Do ta rishikojmë mirë këtë. Për fat të mirë, unë e kam refuzuar këshillën e saj për t’i mbajtur kufijtë hapur me Kinën. Përse na e kanë dhënë një rekomandim aq të gabuar?”, tha Trump.
Kina është vendi i origjinës së koronavirusit, ku rastet e para janë shfaqur në fund të vitit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë numrin më të madh të të infektuarve në botë: mbi 383,000.
Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
Mbi 10,000 të vdekur nga koronavirusi në Francë
Mbi 10,000 njerëz kanë vdekur në Francë, si pasojë e koronavirusit, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.
Sipas saj, numri i viktimave në 24 orët e fundit ka qenë 607.
Ministria tha se, në përgjithësi, 7,091 njerëz kanë vdekur në spital dhe së paku 3,237 në kujdesin shtëpiak.
Mbi 30,000 njerëz janë aktualisht të shtruar në spitalet e Francës – prej tyre 7,131 në kujdes intensiv.
Franca tani është vendi i katërt në botë me mbi 10,000 viktima nga koronavirusi.
Italia prin e para me 17,127 dhe pas saj vijnë Spanja dhe Shtetet e Bashkuara.
Në gjithë botën, mbi 1.3 milion njerëz janë të prekur nga koronavirusi.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do t’i drejtohet kombit të enjten, për situatën e krijuar.
Egjipti do t’i ndalojë tubimet fetare gjatë Ramazanit
Egjipti do t’i ndalojë të gjitha tubimet fetare gjatë Muajit të Ramazanit, i cili nis pas rreth dy javësh, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Gjatë këtij muaji, myslimanët zakonisht e prishin agjërimin në perëndim të diellit, pastaj shkojnë në xhami për t'u lutur dhe kalojnë kohë me të afërmit.
Por, pas rekomandimit të ekspertëve shëndetësorë për distancim fizik gjatë pandemisë së koronavirusit, Egjipti do t’i ndalojë të gjitha tubimet dhe iftaret publike, ashtu si edhe aktivitetet kolektive sociale, tha përmes një deklarate Ministria e Çështjeve Islame e Egjiptit.
Iftaret masive zakonisht organizohen për njerëzit e varfër.
Egjipti aktualisht ka mbi 1,300 njerëz të infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 250 pacientë kanë humbur jetën.
Ramazani do të nisë rreth datës 23 prill, varësisht pozitës së Hënës.
Muajin e kaluar, Egjipti ka urdhëruar xhamitë dhe kishat t'i mbyllin dyert për besimtarët, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Lutjet transmetohen përmes altoparlantëve.